Nga Elona Caslli
“Kirurgjia e çon domosdoshmërinë themelore të profesionit mjekësor deri në kufirin më të skajshëm, ku njerëzorja prek hyjnoren” – do të shprehej Kundera në një prej librave të tij.
Një shkrim i botuar në gazetën ” Panaroma” shkruar nga Prof. Fedhon Meksi mbi figurën e kirurgut të njohur Dr.Shirokës më zhyti në mendime. E lexova me kujdes shkrimin dhe në mendje lanë gjurmë dy shprehje të Dr.Shirokës cituar nga autori i shkrimit; E para ishte ;Kirurgjia nuk ka atdhe, kurse kirurgu ka”. Këtë shprehje kish përdorur Dr.Shiroka kur kish refuzuar ftesën për të punuar si kirurg në Austri pas studimeve universitare.
Shprehja e dytë ishte; Në pamundësi kohe dhe shëndeti, historinë e mjekësisë shqiptare, po e shkruaj me majën e bisturisë. Të tjerët le ta shkruajnë me majën e pendës”
Dr.Shiroka shkroi jetëshkrimin e tij me bisturinë e tij dhe dëshmoi një humanizëm të skajshëm për të cilin shkruhet ende sot ose thënë ndryshe sipas Kunderës Njerëzorja e Dr. Shirokës preku hyjnoren.
Po çfarë ndodh me kirurgët që prekin veçse tokësoren dhe nuk arrijnë kurrë ta prekin hyjnoren?!
Çfarë ndodh me një kirurg që e ndien të huaj bisturinë?!
Çfarè ndodh me kirurgun që ka ndërtuar me bisturinë një marrëdhënie të dokumentuar veçse me letra?!
Çfarë ndodh me kirurgun që veçse falë diplomës së specializimit krijon një marrëdhënie me bisturinë?!
Çfarë ndodh me një kirurg që bisturinë e ndien aq të largët dhe e takon aq rrallë sa kushërinjtë e largët që i takon veçse në ceremoni martesore apo mortore?!
Çfarë ndodh me një kirurg që marrëdhënien me bisturinë e ka të jashtme dhe jo të brendshme?!
Një kirurg i tillë është i krejt i shpërfillshëm kur është askushi dhe një diktator i mirëfilltë kur bëhet dikushi. Me “”dikushi”” nënkuptoj kur ulet në një kolltuk autoriteti krejt rastësisht.
Atje do të shihni metamorfozën e Kafkës të mishëruar në një personazh të vërtetë. Do të shihni se buzëqeshja e stampuar në fytyrën e atij që shpërfillet prej një jete, do të kthehet në ulërimë autokracie.
Do të shihni se marrëdhënia e jashtme me bisturinë do të shpërndahet si llavë vullkani që përvëlon gjithçka prek.
Do të shihni se sa e rëndësishme është marrëdhënia e një kirurgu me bisturinë.
Do të shihni se është pikërisht kjo marrëdhënie që përcakton sjelljet e tij në jetë.
Post Scriptum- Mos i besoni asnjëherë një kirurgu të refuzuar nga bisturia. Bisturia ka refuzuar atë. Ai do të refuzojë tërë botën.

