Ky vendim erdhi pas një procesi të gjatë dhe transparent përzgjedhjeje, të udhëhequr nga Kosova në cilësinë e saj si kryesuese e CEFTA-s për vitin 2025.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila kryesoi Takimin Special të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s përmes platformës elektronike, njoftoi se vendimi për emërimin e znj. Kastrati u miratua me konsensus të plotë nga të gjitha palët pjesëmarrëse.
Sipas Hajdarit, ky është një hap i rëndësishëm institucional për CEFTA-n dhe një sukses për Kosovën në skenën rajonale dhe evropiane.
Njoftimi i plotë i ministres Hajdari:
Në Takimin Special të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, me kryesim nga Kosova, arritëm suksesin e radhës – miratimin e vendimit përfundimtar në përzgjedhjen e Drejtores së re të Sekretariatit të CEFTA-s.
Pas një procesi përzgjedhjeje të qartë, transparent dhe të bazuar në rregulla, të kryer gjatë javëve të kaluara, duke përfunduar me fazën përfundimtare të mbajtur në javën e parë të korrikut në Bruksel, dje kryesova Takimin Special të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, përmes platformës elektronike, me një detyrë të vetme: të emërojmë Drejtorin e ri të CEFTA-s.
Gjatë takimit, me konsensus të plotë u miratua vendimi përfundimtar për emërimin e Drejtores së re të Sekretariatit të CEFTA-s, znj. Pranvera Kastrati.
Ky emërim u bë pas një procesi përzgjedhjeje të ndarë në tri faza: skanimi fillestar, intervistat dhe vlerësimi përfundimtar i mbajtur në javën e parë të korrikut në Bruksel, të realizuara me përfshirjen e ekspertëve të jashtëm dhe të gjitha Palëve të CEFTA-s, si dhe me mbështetjen e Komisionit Evropian.
Znj. Valentina Superti, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, theksoi se emërimi i Drejtores së re, është thelbësor jo vetëm për CEFTA-n, por edhe për BE-në me mundësi financiare për të mbështetur Sekretariatin e CEFTA-s. Ajo nënvizoi se ky proces i emërimit ishte në pritje për 2 vite, si dhe mirëpriti procesin transparent të përzgjedhjes nën Kryesimin e Kosovës, për kandidaturën e parë në renditje, me pikët më të larta në vlerësim.
Kjo vendimmarrje me votim me konsenus të plotë, shënon një moment të rëndësishëm të vazhdimësisë institutionale të CEFTA-s.
Sekretariati i CEFTA-s luan një rol të rëndësishëm në mbështetje të zbatimit të agjendës strategjike të CEFTA-s, lehtëson dialogun ndërmjet Palëve dhe siguron zbatimin efektiv të masave të CEFTA-s në kuadër të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM2) që është shtylla e 2- të e Planit të Rritjes të BE-së për nxitjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor.
Urimet e mia të sinqerta për emërimin e suksesshëm të znj. Pranvera Kastrati në drejtimin e Sekretariatit të CEFTA-s.
Jam e sigurt se znj. Kastrati do të punoj në mënyrë efektive me palët e CEFTA-s për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes së CEFTA-s dhe përmbushjen e angazhimeve të përbashkëta drejt integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimit të integrimit me Tregun e Vetëm të BE-së.


