Shkodër – Një ngjarje tragjike është regjistruar pasditen e sotme në liqenin e Shkodrës, ku ka humbur jetën kapiteni i një anijeje turistike, pjesë e flotës së vendosur nga Bashkia Shkodër për qëllime turistike.
Sipas informacionit paraprak nga Policia, rreth orës 16:32 është marrë njoftimi se shtetasi Arben Alamani, 51 vjeç, kapiten i anijes, dyshohet se është mbytur gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë.
Fatmirësisht, turistët janë shpëtuar dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 51-vjeçarit. Ndërkohë, grupi hetimor është angazhuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur komunitetin lokal dhe turistët në zonë.
Nga Shkodra Sot

