Ina Majko, kandidatja e Partisë Socialiste për deputete në qarkun e Vlorës, është emëruar zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Emërimi i saj në Qeveri vjen, pasi ajo nuk arriti të merrte mandatin e deputetit më 11 Maj në Qarkun Vlorë.
Këtë gjë ia kishte premtuar vetë Edi Rama para zgjedhjeve, ku deklaroi publikisht, se nëse ajo nuk do arrinte dot të bëhej deputete, do ta fuste në Qeveri.
Ina Majko është pjesë e komunitetit rom, e lindur në Delvinë dhe e diplomuar si biologe.
Ajo është emëruar sot në postin e zëvendës-ministres me vendim të Këshillit të Ministrave.
Majko zë vendin zv.ministrit Niko Hyka, i cili është shkarkuar nga detyra.
“Edhe unë jam shumë krenar që për herë të parë Partia Socialiste bëhet promotore e një kandidature nga komuniteti rom. Një vajzë nga Delvina, e shkëlqyer e cila përfaqëson gratë dhe vajzat e margjinalizuara, që jo vetëm mund të jetë një zë shumë i nevojshëm në Kuvendin e Shqipërisë por të jeni të sigurta që edhe nëse nuk do të jetë në Kuvendin e Shqipërisë, patjetër që do të jetë një zë në qeverisjen tonë të mandatit të ardhshëm.”-tha Rama gjatë fushatës elektorale.

