Ndonjëherë është e nevojshme të përpiqesh ta deshifrosh realitetin dhe parashikosh të ardhmen nga të dhëna të tjera përveç treguesve kryesorë ekonomikë, ku në qendër të këtyre të fundit mbetet PBB-ja, megjithë pasaktësitë në matje edhe në paraqitjen e saj.
Pra, ka parametra të tjerë që tregojnë më shumë për të ardhmen e një kombi sesa thjesht statistikat ekonomike me të cilat janë mësuar të “mburren” qeveritë .Sipas Jacques Attali -së ka tre parametra që duhen studiuar kur përpiqemi të kuptojmë se ku po shkon një komb, edhe ato janë demografia, ushqimi dhe muzika.
1. Shqipëria po plaket shpejt !
Megjithëse sot Shqipëria nuk është vendi më i moshuar në Europë, ajo po plaket jashtëzakonisht shpejt. Një tregues i kësaj dukurie është përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç. Në Europë, u deshën mesatarisht 26 vjet që ky raport të rritej nga 15% në 20%; në Shtetet e Bashkuara u deshën më shumë se 50 vjet .
Në Shqipëri të dhënat demografike tregojnë se mosha mbi 65 nga 5.5% që zinte në vitin 1990, sot zë rreth 16% të totalit të popullsisë. Ndërkohë që parashikohet se popullsia mbi moshën 65 vjeç e lart do të arrijë në 26.4% në vitin 2050.
Kostot e larta fiskale të plakjes me ritme të shpejta janë njëra anë e problemit , ndërkohë ana tjetër është se plakja e popullësisë çon në një ekonomi më pak dinamike ku çdo rritje prej 10 për qind e popullsisë mbi moshën 65 e ul PBB-në për frymë me rreth 5.5 për qind. Një e treta e këtij reduktimi vjen nga rritja e ngadaltë e punësimit; dy të tretat për shkak të ngadalësimit të produktivitetit të punës.
2. Ushqimi i kushtueshëm dhe oreksi që vjen nga uria !
Çmimet në Shqipëri po rriten shumë shpejt, duke e ngushtuar gjithnjë e më shumë hendekun me Bashkimin Europian. Sipas të dhënave të Eurostat, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë 1% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian, në një kohë që të ardhurat janë sa 41% e mesatares së BE-së.
Ky hendek në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të ardhurave për frymë nuk i lejon 50 % të shqiptarëve të përmbushin më shumë se atë që një tjetër francez, Alexandre Dumas në librin e tij “Fjalori i Kuzhinës ” e quajti “Oreksi që vjen nga uria” . Ky lloj oreksi është pa pretendime, nuk bën bujë mjaftohet me një ushqim që e ngop.
3. Asnjë lajm i mirë edhe nga muzika !
Muzika tregon gjithçka rreth kreativitetit të një kombi : gëzimin e tij për jetën, revoltën e tij , marrëdhëniet midis njerëzve. Po ashtu ajo ka aftësinë unike për të ndezur imagjinatën e pjesës tjetër të botës për vendin ku ajo është krijuar.
Ndërkohë, që tregu global i muzikës vlen 41.5 miliardë dollarë dhe tejkalon atë të mallrave tradicionale si kafeja apo duhani e bën muzikën një mundësi për zhvillim ekonomik dhe tregëtar . Krijuesit me rritjen më të shpejtë gjenden në tregjet në zhvillim në të gjithë Afrikën dhe Amerikën Latine , gjë që korrespondon me vendet me popullsi shumicën nën 30 vjeç.
Ndaj muzika nuk është thjesht një pasqyrim i kulturës, por edhe një paralajmërues i ndryshimit, një abstraksion paraprak i formës së gjërave që do të vijnë.
As në këtë parametër duket se nuk kemi gjasa për zhvillim. Ne jemi një komb ku mesatarja e njerëzve shikon televizor rreth 5.5 orë në ditë, nuk lexon libra, shkon shumë pak në teatër, apo koncerte . Në këndvështrimin publik artisti /artistja është vetëm një objekt. Suksesin në muzikë nuk e përcakton cilësia e muzikës që artisti performon por gjinjtë e të ndenjurat e rrumbullakosura, buzët e fryra, facetat e bardha tek dhëmbët, veshja, dhe kengët që ofrohen kanë tekste vetëm me 10 fjalë dhe muzikën tallava .
Attali nuk beson në të ardhmen e kombeve si Shqipëria me një popullsi në plakje dhe/ose ushqimi tepër i kushtueshëm dhe/ose me muzikë të dobët e cila dëgjohet vetëm në tokën e tyre dhe jo nga kombet e tjera.
Por ne nuk kemi pse të shqetësohemi për besimet dhe mësimet e Attali-së ! Të ardhmen e kombit e rregullojmë me një veprim matematikor. Mjafton të shprehim PBB -në e Shqiperisë në euro edhe mund të mburremi se është rritur 3 herë. Po ta shprehim në lira turke, e ardhmja do të dukej 14 herë më e mirë !

