U shemb duke rrotulluar qafë e atlete, duke shtyrë si krushq shefin e Aleancës Mark Rute dhe presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, por prapë në dy ditë samit në Hagë, zahmetliu ynë Rama, nuk ia shkrepi dot një dorëdhënie me presidentin amerikan Donald Trump. Mbeti thatë njeriu i sapokthyer nga klubi i dasmës “Soros” mandatgrabitësi për herë të katërt i pushtetit në Shqipëri. Ani se u bë copë dy ditë në fundjavë para samitit, duke prit e përcjellë më helikopter vizitoren speciale Ivanka Trump në Sazan e Zvërnec, duke e sajdisur në vise turistike ku ajo dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner, me një fond investimesh, duan të bëjnë një çudi turistike në këto anë të bregut Jon. Kështu Rinas –Vlorë ishtë guida e shoqërimit të Kryeministrit në fundjavën e shkuar, kur vajza e presidentit amerikan Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner nën masa të forta sigurie nga agjentë të shumtë amerikanë, u bënë mysafirë të zonës ku kanë ndarë mendjen të investojnë diçka mbi 1 miliardë euro apo dyfish të kësaj vlere, e qeveria vrapon të shtrojë infrastrukturën proceduriale ligjore dhe jo vetëm. Përveç lobingjeve të shumta anë e mbanë dynjasë, kreu i qeverisë tani i damkosur globalisht për zullume paligjshmërie kriminale, po përdor edhe asetet publike nën petkun e investimeve strategjike, për të nxjerrë disa gramë tolerancë të qëndrimit në pushtet. Në të vërtetë investimet amerikane janë një element sigurie, e strategjie për vendin tonë, aq më tepër kur investitorët janë edhe familje politike, ndonëse ende nuk ka një transparencë, se kush janë emrat e tjerë paketë e financimit, që shtrihen edhe në Lindjen e Mesme. Edhe formalisht sipërfaqe të tilla ku përfshihet edhe ishulli i Sazanit si ish-bazë ushtarake, me një sipërfaqe afro 5.5 kilometër katrorë e vijë bregdetare rreth 15 kilometër, duhet të kalojnë në parlament për një dakortësi ose kundërshti konsensuale, duke lexuar ekzistencën ose mungesën e kompleksitetit të partive politike e deputetëve të saj në Kuvend dhe cili është përfitimi nga ndërrimi i statusit. Natyrisht nuk jemi në muaj naiviteti të spikatur për të besuar se politika amerikanë, DASH, aq më tepër presidenca e saj, Shtëpia e Bardhë, e aq më tepër presidenti Donal Trump, do të ndërtojnë marrëdhënie qeveritare symbyllje, për ca hektarë tokë kudo qofshin dhe sidoqofshin ata. Çdo qeveri në Tiranë, do ta kishte mirëpritur këtë sipërmarrje amerikane. Por jo për biznes personal të shefit të ekzekutivit, për t”iu shërbyer më pas si shteg amnisitie, për dengun e telasheve ngarkuar në kurriz. Administrata amerikane e di qelibar se Ramaduro i Tiranës, shet shpirtin për të vazhduar trashjen e batakut të Mafias që drejton në vendin tonë. Ata kanë axhendë tjetër për të. Ndaj mirë bëri me ofrimin e shërbimeve të sigurisë e infrastrukturës për zonjën Trump në Vlorë, siç mirë bënë ekipi Trump në Hagë duke e mbajtur larg njeriun me atlete. Për ironi të fatit, Haga është edhe vend gjykimesh për kriminelë të kalibrit të madh..

