I dashur Doktor!
Nuk po të shkruaj as si pacient, as si artist. Po të shkruaj si një njeri që një ditë, mushkëritë iu mbnushën pluhur jete, me hidhërimet që s’shërohen me antibiotikë e me heshtje që shtrëngon më fort se kollitja.
Erdha për një çaj – e dola nga ordinanca me një copë shpresë,
që nuk e piva, por e mora me vete, si një fjalë për t’u përtypur ngadalë, çdo mëngjes.
Ti nuk më dhe vetëm bimë.
Ti më dhe një gjuhë tjetër për t’i folur vetes. Jo fjalor të zbukuruar, por një gjuhë të butë, që shëronte më shumë me heshtjen, se me britmën.
Kur më the: “Zëri yt është gjethe, që s’mund të thahet”, nuk e mora si kompliment.
E mora si një barrë të shenjtë që më takon ta mbaj, pa u ankuar.
Ylli, ti nuk e mat frymën me aparatura. Ti e mat me atë që mbetet pas saj: – me fjalën që ka prekur dikë në një mëngjes të rëndë,
apo me një këngë që është kujtuar në ditën më të vështirë.
Tani që jam kthyer në bjeshkët e mia, ku edhe ajri flet, edhe bari këndon në heshtje, më vjen ndër mend rafti yt i ordinancës.
Plot qese, etiketa, aroma… Për dikë – vetëm bimë. Për mua – bibliotekë.
Çdo bar, një kapitull… Çdo rrënjë – një këshillë e urtë nga e kaluara.
Ti më njihje nga zëri, siç njihet një zog nga cicërima, jo nga pushi i krahëve.
Kam parë shumë doktorë.
Disa matin sheqerin. Disa matin tensionin. Disa – saturimin…
Ti mat mungesën.
Aty ku zëri ka pushuar, aty ku trupi hesht dhe shpirti nuk flet më me veten – aty je ti. Me një gjethe në dorë, me një çaj që nuk është vetëm përbërje, por edhe besim.
Kjo letër nuk ka për qëllim të të lavdëroj.
Lavdia është fjalë e thatë për dikë që jeton përbrenda.
Është si një gjethe që bie pranë teje, pa rënë në sy.
Qofsh një mot i mirë, Ylli Mero për ata që zëri u ka humbur në mjegull,
e që kërkojnë një dritë në fund të një gjethi bliri, apo të një murrizi të kuq.
Prishtinë, 19 Qershor 2025

