Moj zonjë e vjetër, në gropë, skele e parë në Europë!
Ma kishin thënë, por sot e pashë me sytë e mi.
“Ku?” — do të pyesni ju.
Në ish-portin e Vlorës. Dikush mund të thotë: “Po pse ish-portin?”
Them “ish”, sepse nga ajo që pashë, Porti i Vlorës nuk ekziston më.
Porta komunikuese e Vlorës me Europën, që aq shumë e pëlqen ta artikulojë Edi Rama dhe njerëzit e tij, do të duhej të ishte një shembull i përkryer funksionaliteti.
Por, për fat të keq, sot ajo është faqja më e zezë e turizmit në qytetin tonë.
Propaganda ditore e ka mbytur opinionin me foto dhe video nga Vlora, sikur çdo gjë të funksiononte për mrekulli.
Porti i është dhuruar Samir Manes për një të ashtuquajtur “investim strategjik”, por mos u gënjeni, jo për të mirën e qytetit!
Meraku më i madh i qeverisë dhe Ramës është që Samiri të ruajë pozicionin si miliarderi i parë shqiptar në revistën Forbs(është ajo që rendit miliarderët në mbarë botën)
Për qytetarët dhe autoritetet, është lënë një rrugë e vetme, nëse mund të quhet e tillë, rrugë në të cilën humbet edhe kamioni nëpër gropa, imagjinoni makinat!
Ndërsa për këmbësorët?
Duhet të jenë me shpirt aventurieri për të gjetur një hapësirë ku të kalojnë e të mbërrijnë deri në terminal.
Pas disa ditësh në shtetin fqinj, Itali, ky ishte vëzhgimi im i shkurtër këtë mëngjes në ish-portin e Vlorës.





