Është gazetari Osman Stafa, i cili si përherë trajton probleme të mjekësisë shqiptare dhe në shkrimin e sotëm rastin e onkologjikut.
Reagimi i plotë:
A PRET KANCERI?
GJ. D vuan nga leuçemia.
A. K, E. M dhe T. K janë gra që luftojnë për jetën me kancerin e gjirit.
Të katërta janë sot në Spitalin e Lezhës, duke pritur… jo mjekimin, po një skaner me kontrast. Një ekzaminim bazë, i domosdoshëm, për të kuptuar ku është armiku që u ha trupin ditë pas dite. Por nuk ka datë. Nuk ka kod. Nuk ka sistem. Asnjë informacion. Asnjë përgjegjësi.
Në Tiranë u thanë: “Shkoni në Lezhë, se atje bëhet skaneri.”
Shkojnë në Lezhë: “S’ka sistem, as dje, as sot, as nesër… se dimë kur.”
Çfarë loje mizore është kjo me jetën e grave shqiptare?
A është ky një sistem shëndetësor apo një aparat i prishur që s’bën më as zhurmë?
Këto gra nuk kanë dhimbje koke. Ato kanë diagnoza të rënda, gra që po përpiqen të mbijetojnë, të diagnostikohen në kohë, të ndjekin terapitë, të mos dorëzohen. Dhe çfarë bën sistemi shëndetësor? U thotë të presin.
Po a pret kanceri? A presin qelizat kancerogjene, derisa të rregullohet “sistemi”?
A pret metastaza?
Jo. Kanceri nuk pret. Kanceri nuk fal.
Kur sistemi i shëndetësisë kthehet në një mur absurd ku përplasen me dëshpërim qytetarët, kjo nuk është më vetëm papërgjegjshmëri.
Ky është krim.
Një krim që kryhet çdo ditë, në heshtje, në koridore ku mungon edhe ndjenja më minimale njerëzore: ndjeshmëria për jetën.
Zonjat e Lezhës nuk kërkojnë lëmoshë. Kërkojnë të jetojnë. Dhe për këtë, i takon shtetit t’u sigurojë një shërbim dinjitoz, jo një rrugëtim poshtërues nga një derë në tjetrën.

