Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Prizren ku mori pjesë në kremtimin e 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke theksuar rëndësinë historike dhe frymën e bashkimit kombëtar që kjo ngjarje përfaqëson.
Në fillim të vizitës, Presidenti Begaj u prit nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
Më pas, së bashku me përfaqësues të komunës dhe qytetarë të Prizrenit, ai përshkoi në këmbë rrugën nga Shtëpia e Bardhë deri në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku vendosi një kurorë në nderim të kësaj date të shënuar.
Në këtë aktivitet, Presidenti u shoqërua edhe nga një grup nxënësish nga shkolla “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë, si pjesë e iniciativës së tij për të njohur nga afër historinë dhe vendet historike shqiptare, duke vizituar objekte kulturore në të gjitha trojet etnike.
Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit e vlerësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si themelin politik dhe shpirtëror të bashkimit kombëtar, duke theksuar se ajo përfaqëson ditën kur filloi lëvizja për pavarësi.
Ai theksoi se trashëgimia e Lidhjes jeton në çdo përpjekje për zhvillim dhe bashkim kulturor të shqiptarëve kudo që ndodhen, duke qenë një thirrje për vetëdije kombëtare dhe mbrojtje të identitetit.
Presidenti Begaj nënvizoi guximin dhe vullnetin e paraardhësve tanë, të cilët, pavarësisht mungesës së fuqive të mëdha, luftuan për të drejtën e ekzistencës, gjuhës dhe territorit.
Ai e cilësoi historinë si frymëmarrjen dhe gjakun që na lidh të gjithëve, duke e quajtur Lidhjen e Prizrenit pjesë të zemrës së çdo shqiptari të ndershëm.
Në përfundim, Presidenti bëri thirrje për më shumë dashuri ndaj gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar, duke nxitur frymëzimin nga trimëria e Lidhjes së Prizrenit për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të arsimuar dhe të bashkuar.
Ai theksoi se liria është fituar me sakrifica dhe se atdheu është pjesë thelbësore e identitetit tonë.
Përkujtimi i Lidhjes së Prizrenit u cilësua si një busull frymëzuese që na mëson se bashkimi, vizioni dhe vullneti e bëjnë të mundur çdo gjë, dhe se atdhedashuria është vepër e përgjegjshme për të nderuar të kaluarën dhe për të ndërtuar të ardhmen.






