Gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara, Prof. Gjokë Vuksani, Shef i Departamentit të Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe ish-deputet i Partisë Demokratike, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Dr. Pashko R. Camaj, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”.
Federata “Vatra”, e njohur për historinë e saj mbi njëqindvjeçare në mbrojtje të çështjes shqiptare në SHBA, ka luajtur ndër vite një rol kyç në ruajtjen e identitetit kombëtar, promovimin e kulturës dhe ndihmën për shqiptarët në diasporë. Në këtë frymë, takimi midis Prof. Vuksanit dhe Dr. Camaj u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese.
Diskutimet u përqendruan në rëndësinë që ka diaspora në mbështetjen e zhvillimit arsimor dhe kulturor në Shqipëri dhe trevat shqiptare. Prof. Vuksani theksoi nevojën për ndërtimin e urave konkrete bashkëpunimi, ndërsa propozoi iniciativën për krijimin e një marrëdhënieje institucionale ndërmjet Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe institucioneve arsimore e zhvillimore në Zonën e Tuzit.
“Të rinjtë shqiptarë kudo që janë meritojnë të kenë akses në dije dhe mundësi bashkëpunimi ndërkombëtar. Është koha që universitetet tona të lidhen më ngushtë me diasporën, dhe ‘Vatra’ është një partnere natyrale në këtë mision”, u shpreh Prof. Vuksani.
Nga ana e tij, Dr. Camaj shprehu mbështetjen për nisma të tilla dhe theksoi gatishmërinë e “Vatrës” për të lehtësuar komunikimin mes diasporës shqiptare në SHBA dhe institucioneve arsimore në Shqipëri e rajon.
Takimi u cilësua si një hap i parë domethënës drejt ndërtimit të bashkëpunimeve konkrete mes universiteteve dhe rrjeteve të shqiptarëve në emigracion, në funksion të zhvillimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar.

