Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pranimin e studentëve të huaj deri në një njoftim të ri. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, u dërgoi ambasadave dhe konsullatave një udhëzues të brendshëm, ku kërkohet të mos caktojnë takime të reja për aplikantët për viza studentore dhe vizat për bursa shkëmbimi për momentin. Sipas agjencive të lajmeve Reuters dhe AP, sfondi i kësaj është se qeveria amerikane synon të zgjerojë shqyrtimin e deklaratave të kandidatëve në mediat sociale. Një zyrtar amerikan tha, sipas agjencisë së lajmeve AP, se pezullimi ishte vetëm i përkohshëm dhe nuk vlente për aplikantët që kishin tashmë një takim interviste.
Rubio njoftoi aktualizimin e udhëzimeve mbi verifikimet që bëjnë ambasadat e konsullatat para marrjes së vizës. Këto udhëzime të reja për përfaqësitë amerikane jashtë vendit janë ende duke u konsultuar. Udhëzime të mëtejshme do të jepen “në ditët në vijim”. Mediat amerikane raportuan se preken vizat në kategoritë F, M dhe J, që vlejnë për studentët, studentët me bursa shkëmbimi dhe au pair-at, për shembull.
“Verifikimi i personave merret seriozisht”
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Tammy Bruce, nuk pranoi të komentonte udhëzuesin e brendshëm. Megjithatë deklaroi se qeveria amerikane “e merr shumë seriozisht verifikimin e individëve që hyjnë në vend”. SHBA-të do të “vazhdojnë të përdorin çdo mjet për të vlerësuar se kush vjen këtu, qofshin studentë apo individë të tjerë”. Sekretari i Shtetit Rubio dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump kanë deklaruar se qëllimi është “të sigurohet që njerëzit që janë këtu i kuptojnë ligjet, nuk kanë qëllime kriminale dhe kontribuojnë në jetën këtu”. Njerëzit nga jashtë vendit që kërkojnë të studiojnë në Shtetet e Bashkuara duhet të ndjekin “procedurën normale”, shtoi Bruce.
Lexo artikullin të plotë: https://www.dw.com/sq/shba-t%C3%AB-pezullojn%C3%AB-l%C3%ABshimin-e-vizave-p%C3%ABr-student%C3%ABt-e-huaj/a-72693393
Nga DW Shqip


