Deklaratë për mediat
Pas përfundimit të numërimit të votave të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit 2025, Koalicioni Djathtas për Zhvillim ndjehet i obliguar të dalë përpara qytetarëve dhe opinionit publik për të ndarë qëndrimin tonë mbi rezultatin e marrë dhe mbi procesin zgjedhor në tërësi.
Duam ta themi që në fillim: rezultati që kemi arritur është shumë më poshtë pritshmërive tona, dhe për këtë arsye, me përgjegjshmëri politike dhe institucionale, marrim përsipër barrën e plotë të dështimeve tona.
Mungesat dhe mangësitë i kërkojmë para së gjithash te vetja. Rezultati është rrjedhojë e një strategjie të dobët dhe të vonuar komunikimi, përmes së cilës nuk arritëm të përcjellim tek qytetarët programin tonë elektoral dhe tezat tona politike. Për fat të keq, nuk arritëm të ngjallnim te qytetarët shpresën dhe besimin tek oferta jonë politike, ndonëse qëndrimet tona ishin realiste dhe kandidatët tanë me integritet të lartë politik e moral. Jemi të bindur se shkaku kryesor lidhet me dështimin për të komunikuar sa dhe si duhet me qytetarët, brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, jemi të vetëdijshëm se duhet të ishim përpjekur më shumë dhe më mirë për të zgjeruar radhët e koalicionit me forca të tjera politike të spektrit të djathtë dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
Thënë kjo, ne denoncojmë edhe procesin zgjedhor në pothuajse të gjitha dimensionet e tij — një pjesë e të cilave janë pasqyruar edhe në raportin paraprak të misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR. Këto problematika lidhen jo vetëm me cilësinë e legjislacionit dhe të infrastrukturës zgjedhore, por edhe me keqzbatimin e tyre në praktikë.
Zgjedhjet e 11 majit u mbajtën në një klimë që në shumë aspekte i largohet standardeve demokratike. Këtë e konfirmojnë edhe raportet paraprake të vëzhguesve ndërkombëtarë. Problemet ishin strukturore, ligjore dhe menaxheriale: nga një infrastrukturë e paplotë dhe e politizuar, deri te një administrim i procesit që ishte krejtësisht në duart e partive të vjetra.
Sistemi zgjedhor i aplikuar — të cilin ne e kemi kundërshtuar me votë në Kuvend — është produkt i një marrëveshjeje politike që prodhon pabarazi dhe deformon përfaqësimin. Një supermazhorancë e pamerituar iu dhurua pushtetit. Ishim të vetmit që prej muajsh promovonim një platformë bashkimi, por nuk ia dolëm. Ishim ne që kërkuam që votimi dhe numërimi të ishin elektronikë, por dy partitë e vjetra e kundërshtuan. Ndaj komisionet mbetën të politizuara, dhe kjo solli që shumë vota të mos lexoheshin saktë. Për këtë, do ndjekim rrugën institucionale të ankimit në KQZ.
Për më tepër, fushata u zhvillua në prani të një partie-shtet, e cila vuri në funksion të vetin të gjithë mekanizmat e administratës, burimet publike dhe instrumentet e ndihmës shtetërore për të ndikuar mbi vullnetin e qytetarëve. Administrata publike dhe mbështetja shtetërore u përdorën pa asnjë kufi në favor të Partisë Socialiste. Nismat ligjore dhe aktet nënligjore u shfrytëzuan për të korruptuar vullnetin e zgjedhësve. Ligje klienteliste, falje gjobash dhe forma të tjera përfitimi të drejtpërdrejtë u përdorën si armë elektorale.
Segmente të caktuara të krimit u përfshinë ethshëm në këto zgjedhje dhe rezultatet e deformuara — edhe brenda vetë kampit të pushtetit — demaskojnë hapur këtë problem të rëndë.
Patronazhimi nuk u zhduk. Përkundrazi, u zgjerua, duke përfshirë edhe votuesit shqiptarë të diasporës. Kemi sinjalizime serioze për presione ndaj punonjësve të administratës që të “siguronin vota” jashtë vendit. Kjo përbën shkelje të rëndë të parimeve të barazisë dhe të lirisë së votës.
Gjendja e medias është një tjetër plagë. E ashtuquajtura “media e lirë” është, në pjesën më të madhe, e kapur dhe e përdorur nga pushteti politik dhe ekonomik. Me përjashtim të një mediaje televizive, Koalicioni ynë është përballur me një bllokadë të plotë mediatike — një shkelje e hapur e Kodit Zgjedhor dhe e çdo norme të një gare të drejtë.
Financimi publik i fushatës ishte gjithashtu i pabarabartë. Ne patëm fonde minimale, ndërsa të tjerë përdorën miliona pa asnjë kontroll të efektshëm. Kjo garë, që duhej të ishte demokratike, u kthye në një garë të pabarabartë mes një pakice me burime të pashtershme dhe një shumice të privuar nga qasja në komunikim dhe financim.
E megjithatë, në këtë terren të pabarabartë, ne zgjedhim të mos justifikohemi.
Ne zgjedhim të mbajmë përgjegjësi.
Zgjedhim të qëndrojmë përballë qytetarëve tanë me ndershmëri, pa arsyetime të zbrazëta dhe pa gishtin e drejtuar vetëm tek të tjerët. Sepse vetëm kështu nis ndërtimi i një alternative të vërtetë.
Ky është një akt emancipimi politik, por edhe qytetar. Sepse demokracia nuk matet vetëm me mënyrën si fitohet, por sidomos me mënyrën si pranohet një rezultat i pakënaqshëm.
Në këtë moment reflektimi, duke i përgëzuar për arritjet, i bëjmë thirrje të gjitha partive të reja politike që ndanë vlera të përbashkëta me ne gjatë fushatës — besimin te individi, ekonomia e lirë, shteti ligjor dhe përfaqësimi i ndershëm — të gjejnë rrugët për një bashkëpunim të sinqertë dhe të qëndrueshëm. Sepse sfida për ndryshim nuk është detyrë e një force të vetme, por përgjegjësi e përbashkët.
Së fundmi, duke falenderuar te gjithe ata që na votuan dhe kandidatët tanë, iu drejtohemi qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit: mos u tërhiqni nga politika. Mos e lini Shqipërinë në duart e atyre që e kanë bërë këtë vend të papërfaqësuar, të mbytur në cinizëm dhe të privuar nga shpresa. Vota juaj, zëri juaj, pjesëmarrja juaj janë të domosdoshme. Sa për ne, si forcë politike, nuk do të tërhiqemi. Do të jemi aty ku duhet: në mbrojtje të dinjitetit tuaj qytetar dhe për të ndërtuar së bashku një Shqipëri që nuk e përdor demokracinë si fasadë, por si themel të së ardhmes.

