Reagimi i plotë i Topallit:
Sipas raportimeve të shumta dhe dëshmive të qytetarëve në terren, njerëz të paidentifikuar po paraqiten në pikat zyrtare të shërbimeve dhe marrin zarfa votimi pa paraqitur asnjë dokument identifikimi. Më pas, i plotësojnë dhe i dorëzojnë pa firmë dhe pa asnjë dokument shoqërues.
Kjo është një shkelje flagrante. Kjo është një kriminalizim i procesit zgjedhor dhe një përpjekje për të manipuluar vullnetin qytetar.
Kur vota jepet në errësirë, pa kontroll, pa identitet, pa përgjegjësi – ajo nuk është më votë. Ajo është abuzim. Është deformim i demokracisë.
I bëj thirrje zyrtarisht misionit të OSBE/ODIHR që të ketë një fokus të veçantë mbi këtë situatë.
Menaxhimi ekstra-ligjor që po i bëhet procesit në Greqi është alarmant dhe kërkon vëzhgim të rreptë ndërkombëtar.
I kërkoj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të kryejë menjëherë një auditim të plotë të logjistikës së transportit dhe dorëzimit të zarfeve të votimit – nga Shqipëria në Greqi dhe anasjelltas.
Duhet të dimë:
• Kush i ka marrë zarfat?
• Si janë shpërndarë?
• Kush i ka dorëzuar?
• A janë respektuar rregullat dhe transparenca?
Në një kohë kur qytetarët kërkojnë më shumë besim dhe drejtësi, ne nuk mund të heshtim përballë manipulimit.
Demokracia nuk mund të jetë peng i mashtrimit. Vota është e shenjtë. Vota është e secilit. Jo e abuzuesve.

