Lexoj në media disa „regjistrime“ tipike për ish sigurimsat e dikurshëm.
Të nxjerra këto pjesë-pjesë mbi fjalët e mia, pa dijeninë time, në mbledhjen e grupit parlamentar.
Dhe si çdo “skuth”, që bën këtë ndyrësi në fshehtësi, duke përfituar nga diskutimet e lira, shkëmbimin kolegjial të mendimeve, siç duhet të jetë një mbledhje e tillë…
Publikon diçka, pa guxuar të vendosë emrin e tij si autorësi, as pseudonimin.
Publikon ashtu si i intereson copa të një diskutimi të lirë, të gjatë, fragmente të asaj, që bisedohen midis kolegëve, e të dala këto shpesh jashtë kontekstit.
Me një keqdashje primitive kjo, si burracak, për të denigruar….
Por dhe për t’i dhënë vetes atë që nuk ka, nëpërmjet “fjalimeve patetike” të parapregatitura në disa skuta.
Tipike këto metoda për “brumbujt” frikacakë, që janë mësuar vetëm të zvarriten.
Dhe që nga “balta” ku janë zhytur kerkojnë të “pickojnë” më lart….
Unë vlerësimet e mia negative për atë mareveshje mbi refugjatët i kam bërë publike, që orët e para të publikimit të saj e në vazhdimësi, në mënyrë konstante.
Ashtu si në vazhdimësi, në vite kam dhënë e jap vlerësimet e mia me superlativa për Italine mike, edhe si ish Ministër i Jashtëm kjo.
Gjë që nuk më ka penguar aspak ta quaj publikisht krejt të gabuar atë marrëveshje.
Këto qendrime ja kam transmetuar personalisht edhe disa institucioneve e kolegëve të nderuar italianë.
Dhe këtu qëndroj, qartësisht e me transparencë!
Por fatkeqësisht qenkemi të detyruar të bashkëjetojmë edhe me „skutha“!
Pa identitet këta, sepse dhe përballë identitetit tremben e zhyten në pluhur!
Tritan Shehu/ Neveri për “skuthat e çimkave”, për brumbujt frikacakë!

Leave a comment Leave a comment


