“Në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar diskutuam në detaje procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Folëm edhe për dezinformimin që përhapet çdo ditë, shpesh me qëllim për të zbehur arritjet, për të mbjellë dyshim dhe për të minuar besimin te e ardhmja evropiane e vendit.
Integrimi nuk njeh ngjyra politike. Nuk është betejë partie, por rruga e Shqipërisë.
Është interes kombëtar, përgjegjësi e përbashkët dhe detyrim ndaj qytetarëve që presin një shtet më të fortë, institucione më të mira dhe standarde evropiane në jetën e përditshme”, shkruan deputetja Iris Luarasi.
Sa bukur flet profesoresha Luarasi; sidomos nëse i vemë përkundruall dhe e krahasojmë me kolegen e saj, Zeqinenë.
Por, fatkeqësisht, në thelb as ajo nuk ofron ndonjë gjë më shumë se Zeqineja.
Përkundrazi. Nuk arrij të ndaj se cila nga të dyja më bën më shumë për të qarë e për të qeshur njëherazi.
Deputetja kërkon përgjegjësi të përbashkët në proces si detyrë ndaj qytetarëve, por harron se përgjegjësia nuk mund të merret përsipër nga askush, përveç atyre që kanë informacionin e plotë.
Janë miratuar me VKM të gjitha pozicionet negociuese të Shqipërisë për çdo kapitull, por ato jo vetëm që nuk janë bërë publike për Irisin, për Zeqinenë, për opozitën, shoqërinë civile, biznesin apo publikun në tërësi, por, për më keq, as administrata që është e përfshirë në proces nuk e di përmbajtjen e tyre.
Mungesa e transparencës i hap shteg dezinformimit.
Transparenca e pozicionit negociator do të thotë të ndash hapur informacionin, qëllimet dhe arsyetimin përkatës për pozicionin e marrë nga Shqipëria. Transparenca është e nevojshme për të ndërtuar besim dhe për të arritur rezultate më të mira. Vetëm duke qenë të ndershëm dhe të qartë në komunikimin e pozicioneve të marra, qeveria mund të krijojë partneritete të forta me publikun dhe median, duke shmangur dezinformimin.
Transparenca e pozicioneve negociuese për integrimin, veçanërisht në kontekstin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), është një çështje kritike që balancon nevojën për llogaridhënie publike kundrejt dëshirës së qeverisë për fleksibilitet. Transparenca, mbi të gjitha, i jep legjitimitet procesit.
E pra, e nderuara deputete, ndërsa qeveria e trajton integrimin si një proces teknik, sekret dhe të mbyllur, ju dezinformoni publikun duke e trajtuar atë si një proces politik të hapur kombëtar.
Jeni e shqetësuar për dezinformimin?
Atëherë mos e trajtoni integrimin si një lojë pokeri dhe lini mënjanë fytyrën e lojtarit të pokerit.


