-A thua që këtë “Gazetë popullore” të njeriut të lirë mund ta kthejmë në “furrnaltë” mendimi dhe idesh?-
(Në vend të një “Flet-Rrufeje” të dikurshme)
Për gati një dekadë unë “u divorcova” me FB. Kjo kohë “karantinë” më dha ca lloj impulsesh interesante. Mendoja më shumë për vete. U fokusova në ide biznesi, ku imeshoqe ishte “pozitë dhe opozitë”.Ne udhëtonim së bashku nëpër Minneapolis, për të parë “të stomen”. Ju nuk e dini se sa ide kemi “përleshur” me njëri tjetrin. Bashkëfati im duke qënë për gati një dekadë korrektore e verpave të shokut Enver, herë pas herë do më thoshte: “Ekonomia është grusht vdekjeprurës për armikun…”. Unë qeshja. Ajo vijonte: “Kur ke, nuk të do kush. Kur nuk ke, të mëshirojnë të gjithë. Nuk dua të mëshirohem nga askush”…
Dhe ne ndërtuam një biznes ku do vinte koha që “të tjerët punojnë për ne”.Nuk ishte “hap e mbyll sytë” por rugë e gjatëë. Ne “punuam për ta” kur ishte moment dhe “divorci” me FB. Ne tashmë kemi krijuar një lloj biznesi që “shfrytëzojmë ndershmërisht” të tjerët. Është një realitet i habitshëm kapitalisto-amerikan, ku ndershmëria dhe transparenca në biznes shpërblehet dhe ti vijon “vozitjen” e biznesit me të papriturat e veta…
Më risolli në FB, Fatos Bylykbashi pak vite më parë. Nuk di se si një shënim i tij erdhi tek unë dhe befas isha përsëri në “Vallen” e FB. Ishte si një “Ringjallje Krishti”, ku befas takon shokë, miq, kujtime, nostalgji dhe “dashuri të fashitura”. I provova të gjitha dhe ishte një gjë e mirë. Me gjithë rezervat që kam për këtë “gazetë shoqërore”, përsëri kam një merak: Si mundet ky “instrument” i paimagjinueshëm më parë të kthehet në dobi njerëzore?… Besoj se secili ka jetën e vet. Shpesh “Jeta jote” nuk mund të jetë “Jeta ime”. Por duke vëzhguar disa pastime sociale, ku njerëzit fillojnë me “foton e mëngjezit” dha mbarojnë me “foton e mbrëmjes”, pyes veten: A ka jetë përtej fotove? A ka ide, debate, sfida mendimi që mund të na futin në “llavë” progresi. Për fat nuk e shoh siç mund të ishte. Ka mjaft mendje të ndritura që të mbërthejnë ne mendime dhe debat. Gjen ca talente vargu dhe mendimi që të “mbërthejnë” në llava fantazie magjike. Ka ca “xixëllonja” të brezit të tashëm që të bëjnë të besosh se “memçuria nuk vdes kurrë”, por ka edhe aq shume idjotësi, zvarritje fotografike që të neverisin dhe pyet veten: “Po unë ç’mësoj këtu”?… Dikush kujton një vdekje 30 vjet më parë, 10 vjet të shkuara…Tjetri kujton “puthjen e parë” një çerek shekulli të shkuar…Këto janë momente për Ty, jo për mua. Këto kanë dhimbje, dashuri dhe nderim për Ty, jo për mua… Pra si mundet që me miqtë të ndajmë ide, projekte, debate dhe libra me vlerë.
Nuk është thjesht shënim për të “dhënë direktiva”. Për më tepër është një reagim ndaj asaj që shohim. Si mundet FB të jetë mes nesh fushë mendimi dhe intelektualizmi? Më duhet të respektoj secilin në zgjidhjen e vet, por ju lutem a nuk janë ca dhimbje dhe ca dashuri private si “dhoma e gjumit”?! …
Nuk besoj se jam i pari të sjell këtë shqetsim. Edhe unë mbase sjell “budallallëqe” në postimet e mia edhe pse përpiqem të jem selektiv dhe motivues duke thirrur në ndihmë “çensurën” e djeshme. Por a nuk është koah që disa shenime të mbeten në “bllokun e secilit”?…
“Kjo është liria jonë”- mund të bërtasë secili duke më anatemuar. I pranoj mallkimet që mund të shpërthejne nga “shpirtart e vdekura”, por le të bëjmë sa më argëtues dhe po aq intelektualisht të dobishme këtë mundësi për të cilën breza të dikurshëm janë flijuar dhe janë harruar.
Ky nuk është “moralizimi” im për miqtë në qelq. Kjo është dëshira ime në respekt të secilit që përjeton momente dhe drama. Sepse jeta përcillet duke qeshur dhe menduar, jo duke “mbajtur zi” për vdekje që janë harruar apo “soditje fotosh” nga mëngjezi në mbrëmje. Sot ne jemi ata që nuk kemi qënë dje. Nesër do jemi ata që nuk ishim një ditë më parë. Pse rri duke vështruar veten tënde sikur po vjen “Dita e Qametit”?!… Hidh një ide. Thuaj diçka e kështu të gjithë “lundrojmë” në ide dhe debtate interesante duke i bërë edhe një lloj “fiskulture” trurit tonë që koha, sado që nuk duam, na gërryen defromon si era dikur “Pishën Flamur” në Llogara që pylltarët të lemerisur thonë se “Nuk jeton më”…
Le të promovojmë libra, projekte, takime, ide, fantazi, dasma e lindje… Le të japim lajme të mira. Le të sjellim rreth vetes miq të rinj. Por le ta “groposim” vulgaritetin dhe idjotësinë si “shfaqe socialiste”, sepse “shfaqet e huaja”, janë bërë “veset tona”…. Qeshni se edhe unë jam duke qeshur….
Minneapolis, Nëntor 2023
Shefqet Meko/ SI MUNDET? A MUNDET?…

Leave a comment Leave a comment