Jemi bërë kaq të butë, përditë e më tepër,
Zbutim zërin, e bëjmë njësh me heshtjen.
Sikur të mos kishim asnjë dhimbje tjetër,
Shpikim ca trishtime ku vajtojmë vetveten.
Jemi bërë kaq të butë e lotojmë pa shkak,
Ndërsa grindemi me erën, me trillet e saj.
Sepse i rrëzon gjethet e gjakosen në asfalt,
Dhe bashkë me të ndihemi dhe ne në faj.
Jemi bërë kaq të butë, të butë si në vjersha,
Ndoshta mirë bëjmë, se nuk jemi prej guri.
Por duke i harruar ca gjëra më të thjeshta,
S’e dallojmë si venitet brenda nesh burri.