Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi inspektoi sot investimet në nënstacionin elektrik të Golemit, në kuadër të planit të masave për përmirësimin e furnizimit me energji në zonat turistike dhe bregdetare.
Gjatë inspektimit, ministri theksoi se nënstacioni i ri ka dyfishuar kapacitetin, duke kaluar nga 31,5 mega në 80 mega, çka pritet të japë një zgjidhje afatgjatë për furnizimin me energji për rreth 50 mijë banorë në zonat e Golemit dhe Malit të Robit.
Karakaçi u shpreh se investimi është pjesë e një plani më të gjerë të ndërmarrë nga OSSH për vitin 2026, që synon përmirësimin e infrastrukturës energjetike në të gjithë bregdetin.
Nga ana e tij, kreu i OSSH-së, Bendian Dalipi, bëri të ditur se nënstacioni i Golemit furnizon të gjithë vijën bregdetare nga Golemi deri në Qerret dhe është thelbësor për përballimin e rritjes së kërkesës, si pasojë e zhvillimit intensiv urbanistik në zonë.
Ai shtoi se përveç rritjes së kapaciteteve, janë planifikuar edhe investime të tjera në rrjet, për t’iu përgjigjur ndërtimeve të reja dhe rritjes së konsumit.
Sipas tij, OSSH ka nisur edhe procesin e fuqizimit të nënstacionit të Porto Romanos, ku parashikohet shtimi i një transformatori të dytë dhe rritja e kapacitetit nga 50 mega në 100 mega.
Po ashtu, në zonën e plazhit të Golemit po investohet në kabina të reja 20 kV, duke zëvendësuar rrjetin ekzistues 6 kV, si dhe në linja të reja shpërndarjeje, me qëllim rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit.
Ministri Karakaçi theksoi se këto investime janë të rëndësishme jo vetëm për uljen e humbjeve në rrjet, por edhe për garantimin e një furnizimi të qëndrueshëm dhe cilësor për banorët dhe bizneset, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Ai nënvizoi gjithashtu se investimet në rrjetin e tensionit të mesëm shoqërohen paralelisht me ndërhyrje në rrjetin e tensionit të ulët, duke synuar minimizimin e ndërprerjeve dhe defekteve.
Ministri informoi se edhe në zonën e Spillesë ka përfunduar faza e parë e investimeve në rrjetin e tensionit të mesëm, ndërsa parashikohet vijimi i punimeve në një fazë të dytë, për të adresuar problematikat e mbetura.
“Të gjitha këto investime janë pjesë e një plani të integruar masash, që synon t’i japë zgjidhje përfundimtare furnizimit me energji në zonat turistike të bregdetit të Adriatikut, si dhe të mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të këtyre zonave”, u shpreh Karakaçi.
Nga ana e tij, Dalipi bëri të ditur se OSSH është në proces të përmirësimit të balancimit të rrjetit, në bashkëpunim me OST, me qëllim menaxhimin më të mirë të flukseve të energjisë dhe shmangien e mbingarkesave.
Ai shtoi se është hartuar edhe një plan për operimin me personel të shtuar gjatë sezonit veror.
“Sezoni turistik na gjen më mirë se një vit më parë dhe do të jemi në kushte më të mira teknike dhe organizative për përballimin e fluksit”, theksoi Dalipi.

