Në orkestrën e njerëzve,
ajo kishte zgjedhur
të ishte shërbyese
me instrumentin natyral;
mbuluar me kapakë të rrjepur
nga koha e vjetëruar.
Salla ku luante
ishte cep rruge nate
me ndriçim hije trupash epshorë,
karikuar me energji djajsh
apo kthinë gjirizesh
ku për poltron
kishte tokën;
një sedilje makinash
të deformuar nga copa e zverdhur;
edhe krevate që qanin
sa herë e shikonin
apo stola indiferentë parqesh
me sekrecione gjethesh,
lëshuar nga koha e gjatë
e fjetjes së tyre në ta.
Muzika që luhej
tinguj pasthirrmash
që edhe ansambli i kafshëve
do t’i këndonte më bukur.
Në një botë kurtizane,
ajo ishte më e mira;
orkestrante e orkestrës,
edhe pse të gjithë luanin
me pentagramin e saj.
PA FRYMË
Kërkoj lirinë…
Lirinë e munguar
ngecur drizave të mendjes njerëzore,
si pezhishkë merimange vejushë.
Kthej sytë nga të gjitha anët…
Mure të larta
që themelet i kanë në buzët e mia,
në cepat e tyre sfinksat e Tebës
si kolonitë e lebrozëve në pyjet e virgjër tropikalë.
Deti… larg një liri e tërë,
brigjet e lumenjve me të nuk bashkohen.
Unë…
një përrua pa brigje pas shirave musonikë.
Smogu i lirisë
më ka nxirrë lekurën e shpirtit,
dëbora e marsit lan rrugët,
por aortën time nuk e arrin.
Marr frymë si një ari i plagosur
putrën e të cilit e ka mbërthyer çarku i safarit.
Ajri më qesëndis me bulëza lirie të bardhë.
Shkaba e mëlçisë së Prometeut
avitet ajrit me kra-kra të çjerra
dhe sqepin e hapur…



