Shpetim Axhami, Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit, nëpërmjet rrjeteve sociale, ka shprehur nderim dhe mirënjohje për emigrantët shqiptarë që edhe pushimet i bëjnë në atdhe.
Gjithashtu ai publikon një kopjo të pasaportës shqiptare të Mbretërisë, ku në faqen e parë të saj ishin porositë e vyera për lidhjen me gjuhën dhe Shqipërinë.
Postimi i plotë:
Respekt dhe mirënjohje për të gjithë emigrantët shqiptarë të cilët kanë zgjedhur atdheun e tyre për të kaluar pushimet e verës!
Në faqen e parë të pasaportës së Mbretërisë Shqiptare të Mbretit Zog, shkruhej;🇦🇱
1.T’a dijsh dhe të jesh i sigurtë, se fatbardhësija dhe lumtunija e jote gjindet në Shqipni e cila t’ep nder e të fal emnin Shqiptar.
2.Rueje mirë karakterin komtar dhe kryenaltësin shqiptare; bindju ligjeve dhe urdhnavet të vendit kudo që të jesh.
3.Çdo Shqiptar asht vllau i Yt: nderoje kurdoherë dhe ndihmoje kur të ket nevojë.
4.Mos e përbuz gjuhën e nanës s’ate, tue folë në gjuhë të huej kur nuk asht nevoja.
5.Ndero flamurin e atdheut tand: kush nuk e nderon Shejin e komsis, shnderon veten e vet.
Dashunija për atdhe ndihet ma tepër në mërgim, prandej ketë dashuni rueje edhe kur të këthejsh në vendin t’and.


