Thesaret e Berlinit, Monakos dhe bregdetit Amalfi, mund të shijohen në mënyrë ekonomike, nëse përdorni linjat e autobusëve lokale dhe rajonale
Me situatën e përgjithshme ekonomike dhe rritjen e përgjithshme të çmimeve, çdo mënyrë për të kursyer sado pak, ia vlen për t’u provuar.
Prandaj, një ide e thjeshtë por shpërblyese, është të përdorni linjat e autobusëve. Do të zbuloni se shumë linja transporti me autobus, kalojnë nëpër peizazhe të denja për një udhëtim të shkëlqyer turistik.
Në vazhdim, renditen gjashtë rrugë fantastike piktoreske europiane me autobus – aq të lira sa do të dëshironi t’i jepni shoferit një bakshish.
Sorrento në Amalfi, Itali
Bregdeti Amalfi, në jug-lindje të Napolit, ka kohë që është i njohur për bukurinë, ndjenjën e romancës dhe elegancën e gjithanshme.
Shkëmbinjtë shohin nga deti Tirren dhe qytetet dhe fshatrat piktoreske, tërheqin shumë turistë. Fellini, Rossellini dhe shumë regjisorë të tjerë filmash kanë xhiruar filma atje dhe njerëz të njohur vizitojnë lokalet buzë detit.
Peizazhi shkëmbor i vijës bregdetare dhe biodiversiteti, kanë bërë që zona të shpallet vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Vendi mund të vizitohet për 3,10 euro . Autobusi 5070 udhëton përgjatë bregut nga Sorrento – me pamje të Vezuvit dhe Ishullit Capri – dhe vazhdon në Positano.
Udhëtimi juaj zgjat rreth 90 minuta dhe përfundon në Amalfi, me plazhin plot gjallëri dhe shtëpitë, që duken sikur janë të vendosura njëra mbi tjetrën.
Nëse nuk e keni shijuar pamjen e detit, hipni në autobusin 5120, i cili do t’ju çojë në lindje, nga Amalfi në kryeqytetin e vjetër Norman të Salernos, për 2,60 euro.
Nëpër Paris
Nuk ka nevojë të rezervoni një turne turistik në Paris: thjesht blini një biletë 2,10 euro dhe merrni autobusin 69.
Duke u nisur nga perëndimi në lindje përgjatë qytetit, itinerari fillon në Champ de Mars pranë Kullës Eiffel dhe afër fundit, ndalon në varrezat Père Lachaise, ndalesa e fundit për Oscar Wilde, Edith Piaf, Jim Morrison dhe një mori ikonash të tjera kulturore.
Gjatë rrugës, pasagjerët mund të shohin Esplanade des Invalides, Pont Alexandre III dhe Pont Neuf, Musée d’Orsay, Luvrin, (çfarë ka mbetur nga) Notre-Dame dhe Place de la Bastille.
E vetmja pengesë është se ky autobus, mund të jetë i mbushur me njerëz, kështu që, në oraret e pikut, hipni afër skajeve të itinerarit, për të siguruar një vend.
Liqeni Bled deri në liqenin Bohinj, Slloveni
Rrethuar nga kodra të pyllëzuara, me pamje nga një kështjellë dhe zbukuruar me një ishull të vogël me një kishë të bukur, liqeni Bled është një pamje përralore.
Por, 30km larg dhe 50 metra më lart, ekziston një liqen më pak i njohur që është mbase edhe më i bukur: Liqeni Bohinj.
Një udhëtim 40-minutësh me autobus (3,60 euro) nga një liqen, te tjeri, fillon në qytetin tërheqës Bled dhe kalon përgjatë bregut jugor të liqenit me të njëjtin emër.
Më pas rruga ndjek brigjet e lumit Sava Bohinjka, deri në parkun kombëtar Triglav dhe përmes një gryke në male, arrin deri në liqenin Bohinj. Uluni në anën e djathtë, për të shijuar pamjet e të dy liqeneve.
Bran në Rucăr, Rumani
Bëni këtë udhëtim me autobus, përgjatë një prej rrugëve më tërheqëse të Rumanisë dhe do të ndiqni itinerarin e ndjekur nga tregtarët, që nga mesjeta: Kalimi Rucăr-Bran midis Transilvanisë dhe Rumanisë jugore.
Gjatë rrugës, do të keni mundësi të shijoni pamjet e vargmaleve Piatra Craiului, Leaota dhe Bucegi. Duke u ngritur në një lartësi prej 1300 metrash, rruga rrëshqet nga fshatrat malorë, duke zbritur më në fund deri në Kalanë Bran.
E shndërruan në muze, ndodhet mbi shpatet e pyllëzuara përreth dhe njihet si Kështjella e Drakulës, megjithëse me prova të pakta, sepse Bram Stoker nuk e ka vizituar kurrë Rumaninë. Udhëtimi 45-minutësh kushton më pak se 2 euro.
Të dyja anët e Berlinit
Autobusi 100 i Berlinit, jo vetëm që ofron një udhëtim madhështor me pamjet më historike të kryeqytetit gjerman, por është gjithashtu një pjesë e vogël e historisë në vetvete: pas ribashkimit kjo rrugë ishte e para, që kaloi kufirin lindor/perëndimor të qytetit.
Një biletë kushton 2,90 euro dhe zgjat 30 minuta. Odisea fillon në Alexanderplatz, pranë kullës televizive 368 metra, e përfunduar në vitin 1969, që mbetet ndërtesa më e lartë e Gjermanisë.
Autobusi kalon pranë Berliner Dom dhe ishullit të muzeumeve*, për të arritur në Unter den Linden dhe Reichstag, përpara se të shkojë në Pallatin Bellevue, Kolona e Fitores dhe KaDeWe – qendra tregtare më e madhe në kontinentin europian – dhe të arrijë në Kopshtin Zoologjik.
Nga Nica në Monako
Me sa duket, më shumë se 30% e popullsisë së Monakos janë milionerë. Megjithatë, një surprizë e këndshme është se një udhëtim në qytet kushton 2,50 euro.
Autobusët ecin përgjatë dy nga tre rrugët e famshme, që gjarpërojnë përgjatë kësaj pjese të Côte d’Azur. Grande Corniche – i ndërtuar nga Napoleon Bonaparte dhe vendi i parapëlqyer nga James Bond dhe Alfred Hitchcock – shpesh mbulohet nga mjegulla, kështu që autobusi 602 shkon në Moyenne Corniche. Gjithashtu, kalon nëpër vendbanimin mesjetar buzë shkëmbinjve të Èze, i cili është ndër fshatrat më të lartë bregdetar në Francë.
Ata, që kanë frikë nga lartësia, mund të zgjedhin autobusin 607, i cili përshkon bregdetin Basse Corniche, duke ofruar pamje të vendpushimeve bregdetare super elegante, si Villefranche-sur-Mer dhe Saint-Jean-Cap-Ferrat. / The Guardian
* Ishulli i Muzeumeve në Berlin (Museumsinsel) është një ansambël ndërtesash në Spreeinsel (Ishulli Spree) në zemër të Berlinit. Ai përfshin pesë muze të mëdhenj të Berlinit, të ndërtuar gjatë sundimit prusian, si dhe një ndërtesë pritjeje dhe ekspozite, Galeria James Simon.