Shkurt 1987. U sëmura. Flamë. U shtrova në sanatorium. Fut gjilpëra. Përtyp koqe ilaçesh. Pa derman. Duhej bërë biopsi. Më futën një sondë nga hunda. Morën pak mushkëri. E çuan në laborator.
U hap fjala: “Mitroja ka kancer.”
– Nuk mund të flas, – tha doktor Karalliu!
– Bën vaki, – i tha Filipit.
Filipi e çoi haberin në gazetë. Por nga gazeta më solli haberin:
– Mitro Xhani? I ngre a nuk i ngre patkonjtë, në gazetë ta zunë vendin. Nekrologjinë e kam gati. Do t’i hedhësh një sy?
Pas 21 ditëve erdhi biopsia. Doktor ngriti supet:
– Çudi! Nuk doli kancer?! Po pse mushkëritë nuk zbrazen.
Pas dy ditësh doktori erdhi te shtrati. I ndriste nuri:
– E gjetëm. Ke sarkoidozë! Je rasti i 15 në Shqipëri! Hata!
Karalliu bëri epikrizën. Një grusht me kortizone. Çdo ditë m’i jepte infermierja. Çdo natë i hidhja në hale. Me këtë skenar kaluan tre muaj.
Erdhi maji. Diell. Ajër i pastër. U shërova. Dola nga spitali. Karalliu më dha recetën: kortizone. Kur u ndamë më tha:
– Mitro! Më befason. Kush pi kortizone, trashet. Ti, thahesh! Do të bëj një studim.
Në vitin 1991u bëra deputet. Ha, o xhybe, po, o xhybe, llafoste Nastradini. Shkova në Romë, dy javë në spital. Doktori më tha:
– Ke kaluar një ftohmë të vjetër. Pak mushkëri e ke të kalçifikuar. Pa merak. Kujdes! Ruaju nga moti dhe mos tradhto gruan.
10 vjet më vonë. Në bulevard takova doktor Karalliun. Zgurdulloi sytë:
– Gjallë, Mitro?!
– Gjallë!
– 11 të sëmurët nga sarkoidoza kanë shkuar te të shumtit. Ti…?!
– Doktor! Më dukesh pak i verdhë. Bëj kujdes! Ruaj shëndenë.
Kaluan disa vjet. Një ditë shkuam në sanatorium me Filipin. Te dera ishte ngjitur një shpallje: “Doktor Karalliu vdiq!”
– Kush e nisi, e kush e bitisi, – ngrysi vetullat Filipi…