Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) me qendër në Hagë, përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
GJND publikoi pasditen e datës 22 korrik 2010 opinionin këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.
“Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare”.
Ishte kjo përgjigja e Gjykatës Ndërkomëtare të Drejtësisë në Hagë, ndaj kërkesës së Serbisë, që organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombëve të Bashkuara të përgjigjet në pyetjen:
“A është Deklarata e njëanshme për pavarësi e shpallur prej organeve të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”.
Në emër të 15 gjykatësve të GJND-së, kryetari i saj Hisashi Owada bëri të ditur se gjykatësit kanë marrë parasyshë të gjithë elementet e rëndësishme për këtë proces dhe kanë konstatuar se ky institucion e ka të drejtën që të japë mendimin juridik për çështjen e shtruar.
Në shpjegimin që zgjati rreth një orë e gjysëm, japonezi Owada fillimisht përshkroi rrethanat që kanë sjellë deri tek shpallja e pavarësisë dhe rikujtoi dokumentet që janë nxjerrë lidhur me Kosovën.
Pro pavarësisë votuan shumica e gjykatësve
“GJND konsideron se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare, nuk përmban asnjë dispozitë me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi GJND-ja konstaton se pavarësia është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, theksoi Owada.
Vendimi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e shpallur me 17 shkurt të vitit 2008, nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, është marrë me një shumicë bindëse të votave të gjykatësve të GJND. 10 gjykatës ishin PRO, ndërsa katër ishin KUNDËR vendimit.
Owada shpjegoi gjerësisht edhe mendimin e Gjykatës për pohimet e Serbisë dhe mbështetësve të saj, se pavarësia e Kosovës është shpallur në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstaton se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është nxjerrë me qëllim që t’i jepet fund pushtetit të Serbisë në Kosovë. Ajo parashikon administrimin e përkohshëm ndërkombëtar të Kosovës prej UNMIK-ut, i cili kishte për detyrë të ndihmojë krijimin dhe forcimin e institucioneve vendore”.
Gjykatësit ishin të mendimit se Rezoluta 1244 kishte karakter të përkohshëm dhe se nuk e ndalon zgjidhjen e statusit të Kosovës. Përkundrazi parashikon krijimin e kushteve për një zgjidhje të përhershme.
“GJND-ja konkludon se nuk mund të pranohen argumentet se Rezoluta 1244 parashikon ndalimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, theksoi Owada. Të këtij mendimi ishin 9 gjykatës të GJND-së ndërsa 5 ishin kundër.
Kryetari i Gjykatës konstatoi po ashtu se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim as me Kornizën Kushtetuese, të miratuar në kohën e UNMIK-ut.






