Eposi i Kreshnikëve që mësohet qysh që fëmijëri në shkollat tona, ka si qëllim ti mësojë fëmijëve jo vetëm historinë, por edhe vlerat e shqiptarit, atdhedashurinë, solidaritetin, përgjegjësinë, nderin, dashurinë dhe sakrificën për familjen, për prindërit, motrat e vëllezërit.
Kënga epike e Gjergj Elez Alisë është simboli më i qartë i dashurisë dhe sakrificës së vetë jetës së tij për të mbrojtur tokën amë, por sidomos familjen dhe nderin, si dhe motrën e pambrojtur.
Ja pra, këto ua kemi mësuar vetë fëmijëve në shkolla! Përse çuditemi kur një djalë i ri për të mbrojtur nderin e motrës së tij, arrin deri në vetëgjyqësi?
I njëjti shtet që e ka mësuar fëmijën mbi rëndësinë e aktit heroik të Gjergj Elez Alisë, e arreston kur rritet dhe nën shembullin e heroit epik, edhe ky vepron për të mbrojtur të motrën dhe nderin familjar bashkë me të.
Ja pra, pse e kam të vështirë të gjykoj një djalë të ri që ndërmerr akte vetëgjyqësie (shyqyr që nuk shkoi më tepër se kaq) dhe kam një thirrje për shtetin që të jetë më i përgjegjshëm kur bëhet fjalë për të mbrojtur fëmijët, se fëmijë ishte edhe ajo vajzë, që fati i dha një vëlla të mrekullueshëm.
Kjo sdo të thotë që jam për vetëgjyqësi, por ja që duhet reflektuar me përgjegjshmëri edhe mbi atë çka u mësojmë fëmijëve në shkollë. Një djalë i ri që ka përgjegjësinë ekonomike të familjes, punon në emigrim dhe i preket familja, normal që do reagojë siç ai di më mirë, siç i është mësuar në shkollë se vepron shqiptari kur i preket familja.
Kaq kisha. Mos u mundoni të më mbushni mendjen që duhej ta denonconte, sepse njoh raste që policia dhe prokuroria i ka mbyllur, ashtu siç dinë ti mbyllin, dhe fëmijët ende sot që flasim ndihen të rrezikuar.



