Në realitetin e përditshëm gjithçka dhe pothuajse gjithëkush ka të ngjitur etiketën e çmimit.
Mediat prej vitesh vazhdojnë të na e tregojnë mafiozin si një individ shkollëpakët që lodrat e preferuara ka armën dhe makinën, është i “forti” i rrugëve që nën hijen e frikës gllabëron çfarëdo dhe si do. Pra vazhdojnë të na përcaktojnë perceptimin e imazhit duke na ofruar shëmbëlltyrën e padrinos si atë të një individi të dhunshëm të dhe mend-pak.
Jo i largët rasti i fundit me atë që rëndom në të gjitha mediat u etiketua si mbreti i kazinove dhe masa u indoktrinua të besonte që ai ishte e keqja e këtij vendi, qe ai shpërdoronte dhe grabiste paratë e qytetarëve shqiptarë. Pra masa edukohet t’i trembet ujkut, ndërkohë që “tigri” bën kërdinë.
Padrinot e këtij vendi tashmë drejtojnë nga zyrat luksoze dhe rrethuar me vetrata në qendër të kryeqytetit.
Ata investojnë në bursa, janë ortakë bankash dhe fondacionesh, buzëqeshin dhe bëjnë ujdi afaristësh, kësisoj të qetë lajnë gjakun nga paratë e pista që qarkullojnë.
Jane ata që mbajnë me qindra mijë euro nëpër shtëpitë e kukullave të punësuara rëndom nëpër institucionet e këtij vendi.
Janë ata që po përdorin “prestanome” për të mbuluar aktivitete tregtare të çdolloj tipi dhe këtë e bëjnë shpesh herë pa dijeninë e këtyre të fundit.
Janë ata që përdorin e drejtojnë politikën, janë mbi politikën, janë shpesh bashkë, pa krah e pa ngjyrë, janë ata që menaxhojnë deri dhe rotacionin e pushtetit.
Janë ata që llogarisin, presin dhe ngjisin etiketat e çmimeve të secilit individ.
Ndiq paranë – shprehja lapidare e prokurorit të madh dhe burrit trim Giovanni Falcone.
Tashmë paraja është sheshit e pajustifikuar, e padeklaruar, e ndyrë.
Duhet ndjekur.
I duhet shkuar në bërthamë së keqes, tashmë dhe masa nuk i beson më kazanëve mediatikë, dukshëm të blerë. Padrinot nuk janë më të fortët e lagjeve me kobure në brez, por janë me jaka të bardha e të kollarisur, ngrefosur gradacielave të Tiranës.

