Gjyshja ka qenë dhe do të mbetet njeriu më i dashur për mua. Kur isha i vogël, nuk i ndahesha gjyshes. Shkoja pas saj dhe dëgjoja sesi ajo nuk pushonte së qari me ligje. Ligje: kështu quhen vargjet që thurin gratë, gjatë vajit (vajtimit) për humbjen e njeriut të dashur.
– Pse qan, gjyshe? Të lutem, mos qaj, se do të qaj edhe unë?…
– Qaj se më dhembin plagët, o bir.
– Kush t’i ka bërë plagët, gjyshe?
– MOSMËJA që na ka pllakosur e na ka nxirë jetën…
Dhe unë e përfytyroja MOSMËNË si lugatin më të tmerrshëm dhe më të shëmtuar në botë. Por kur u rrita, e mësova se ç’ishte MOSMËJA dhe e kuptova dhimbjen e plagëve të gjyshes.
Gjyshja ishte motra e vetme e gjashtë vëllezërve më të vegjël. Tre prej tyre kishin vdekur nga Perëndia dhe tre ia kishte burgosur e pastaj i kishte zhdukur regjimi, regjimi komunist, të cilin gjyshja e emëronte me eufemizmin “MOSMËJA”, një nga fjalëformimet e bukura të shqipes: mos më.
Tri plagët më të mëdha të gjyshes ishin tre vëllezërit e pushkatuar dhe të zhdukur nga komunizmi. Ishin pa varre. Plaga e gjyshes kurrë nuk pushoi së rrjedhuri gjak për këta vëllezër. Ku t’i qante? Ata nuk kishin varre. Nëma, mallkimi më i rëndë i shqiptarëve është: Të humbtë varri! Askush më parë, as armiqtë më të egër të kombit tonë nuk i kishte lënë pa varre shqiptarët. I la komunizmi, ose MOSMËJA.
Bajram Karabolli/ MOSMËJA… Gjyshja kishte tre vëllezër të pushkatuar nga komunizmi, të cilët s’kishin varre

Leave a comment Leave a comment


