Simbas INSTAT, qarku i Gjirokastrës ka jetëgjatësinë më të shkurtër në Republikë.
Pikërisht për këtë fakt ka reaguar me një status në rrjetet sociale deputeti i qarkut Tritan Shehu.
Profesor Shehu ngre një mori arsyesh, por mbi të gjitha ndalet te varfëria, braktisja dhe shëndetësia e degraduar.
Ja postimi i plotë i tij:
Qarku i Gjirokastrës po vdes, realisht kjo për banorët e tij!
Qarku i Gjirokastrës sipas INSTAT ka jetë gjatësinë më të ulët në vend, për burrat dhe për gratë, ndjeshëm nën mesataren e Shqipërisë!
70 vite për burrat, kur mesatarja e vendit është 74,4 vite.
74,2 vite për gratë kur mezatarja e vendit është 78,2 vite.
Pra sot ai qark përveç shtyrjes së banorëve drejt braktisjes, po shuhet edhe nga vdekja.
Dhe këtu faktorët shkatërrues janë të njëjtë:
Varfëria, papunësia, mjerimi, braktisja…
Një sistem shëndetësor parësor i shkatërruar…
Spitalet e Tepelenës e Përmetit të mbyllura.
Spitali i Gjirokastrës i atrofizuar, ku mungojnë mjekët, medikamentet, pajisjet…
Ku nuk realizon dot as një egzaminim Scan me kontrast, ku nuk gjen më shumë se një antibiotik, me një laborator në mizerje, pa egzaminime histo patologjike etj etj.
Me të vetmin element, që “fryhet”në kurriz te qytetarëve, PPP-te, Check up-et…
Asnjë pseudo komentues me të gjithë sofizmat e tij nuk mund të mohojë e as të vërë në dyshim atë çfarë po ndodh aty.
E lexueshme kjo jo vetëm nga këto shifra makabre, por dhe me uljen e popullsisë me mbi 40%, me ulje drastike të lindjeve prej 24%, më të ultat në Republikë etj!
Tashmë edhe me vdekjet aty, më të lartat në Republikën!
Qarkun e Gjirokastrës ky rregjim po e “vret”, po e shuan, pikërisht prej vlerave, historisë së tij.
Ai duhet shpëtuar, shpëtuar shpejt!


