Sot urimet janë në qelq, të bukura, fantazi, passion e llojshmëri magjike, por unë nuk mundem t’i “përkëdhel” dhe sikur më dhembin duart duke i zgjatur në tastierë… Dje, ne nuk prisnim “ditën e fundit” të uronim. Vraponim si çamarokë nëpër kinkaleritë e pakta dhe blinim kartolina…Zgjidhnim nga një për njerëzit tanë. Uleshim në mbrëmje, e duke ëndërruar “darkën e Vitit të ri” shkruanim ndjenjën tonë pa ndjerë “gurgullimat” e stomakut.
Një pullë postare, një “lëprije nga pas” për ta ngjitur në cep dhe kartolinat bëheshin “aeropanët” e botës sonë.
Ne kishim ndjenja edhe atëhere, kishim emocione, urretja sikur ishte “strukur pas Dajtit”…Rastësisht hapa sot “Dosjen”: Urime 1983.
Çfarë ndryshimi galaktik.
I rilexoj kartolinat e ish-miqve të rinisë dhe zhytem në vetvete. Ishte jeta ime. Isha Unë, jo ky që jam sot, por “përsëri Unë”…Një drithërimë emocionale rrëshqet deri në mollzat e gishtave që mbajnë kartolinat me fjalë të shkruara me dorë nga Ali Canaj(E vetmja e daktilografuar), Selman Mëziu, Gjon Fierza, Pali Goga, Mustafa Koxhaj, Etleva Puto, M.Luli, Maxhun Dida, Lako Aliçkolli, Xhevdet Shehu e plot e plot. I kam marrë deri këtu sikur ta dija se pas 40 vitesh do t’u kthehesha me mall e lotë kujtimeve dhe urimeve të kthjellta të shekullit që iku…
Edhe unë solemnisht “bashkohem me njeriun e sotëm”: Gëzuar Vitin e Ri 2023! Shëndeti si Mbreti dhe Gëzimi si Princesha për Secilin nga Miqtë e Vërtetë!
Gëzuar 2023!





