TË DUA KOSOVË
Lisat në Kosovë
Janë liria që mbiu në gjak
Me krahë të hapur drejt qiellit…
O Zot!
Lules në Fushë-Kosovë
Ende i rrin vesa e motit
Në petale,
Siç fëmijës
Loti i harrohet në faqe
Kur hutohet me gënjeshtrën e të rriturve.
(Djallëzi e pabesë!)
Hej Kosova e gënjyer
Ti je Shqipëria ime e vërtetë,
Dhe unë jam i gatshëm të vdes
për të vërtetën,
Kurdoherë!
Oj Kosovë,
Zemër, lule, motër…
Të dua
Pasha luftën
Që vajzat
djem t’i bëri!
ETJE
Etja ime
Në buzët e ngrime.
Dua të pi në krojet tua
E ti u bëfsh njeri
Unë u bëfsha krua!
TEPRICË
Mbet në gjerbin e ngrirë të kohës
Dashuria për miqtë që s’qenë kurrë
E zemra shpesh më fajëson:
(Më bëre të dua gjithkënd)
Tash:
Ç’të bëj me dashurinë ndaj atyre
Që s’iu duhet më gjë prej teje?!
*
-Eh, miqtë
zemra ime
Duhet edhe pak tru t’i kuptosh!…
VAL-MALL
Det i shpirtrave të etur
Ndër këto shtete të vogla lumenjsh
Ma gjej Valbonën time
T’ia shuaj etjen mallit
Etjes sime veç ajo i’a di lutjet
Unë dhe hëna aty vdesim
Sa herë ju s’na shihni,
Pastaj sytë e të dashuruarve na rikthejnë sërish,
O det mistik
Nuk di të them në jam esëll
Të dehurit gjithnjë e ngatërrojnë këtë,
Por ndiej mall dhe largësi.
KONTRAST
Zëri yt i ngadaltë
Me dhimbje lulesh në fyt
Në prehër të mendimit tim,
Të paharrueshmen
Thotë!
E dua shumë zërin tënd,
Ndërsa ty
Nuk besoj që të dua
Njësoj siç edhe ti
mund ta duash një trëndafil
Pa shtatin e tij prej gjembi.
Ka kaluar shumë kohë
Dhe nuk ndjen aspak keqardhje
Për vdekjen e fjalës sime
Të padëgjuar,
Prandaj nuk duhet që të dua;
Madje nuk di
Si mund të duhesh,
Teksa dashuria ime
Si një zog në rënie përpëlitet,
Vrarë nga guri i zemrës sate!
NGJARJE
Si në melodrama,
Kali i ëndrrave
Rrëzohet me mua në shpinë
Mbas një darke me renegatë.
Gruaja më e ndershme në botë
Shfaqet lakuriq para syve të mi…
Jam Evërteta:-më thotë.
Gruaja më e ndershme në botë!
O miqtë e mi,
Ju jeni të gënjyerit e mi
Që bashkë ndajmë të njëjtin liqen
Për ditët tona prej përroi.
O, (ar)miqtë e mi!…
Të mitë krejt!

