NË KUFI TË DY VITEVE
Viti është i vetmi stacion
Ku nisesh e mbërrin njëkohësisht.
Ngjyrat stina – stinës ia ndërron
Me diellin dhe hënën bashkërisht.
Një vit që përsëritet është jeta,
Diell që nuk lind më, kohë e shkuar.
Atje ku nis bën dritë e vërteta
Shohim se çfarë duhet shenjtëruar.
Në kopështin e fjalive dëshirore,
Fjalë shpirti dhe zemre qëmtojmë.
Trumba buzëqeshjesh gazmore,
Në kufi të dy viteve dhurojmë.
Kur jemi në kufirin e dy viteve,
E harrojmë kufirin mes dy botëve.
Më shumë se vetes u besojmë riteve,
Ringjall buzëqeshjen Hadi i lotëve.
Për të përcjellë veten pak nga pak,
Vështirë të gjejmë një mënyrë tjetër.
Ajo që dëshirojmë vërtetë s’njeh cak,
Për jetën viti është i vetmi metër.



