Në një tavernë atje në Romë
Më hodhi era tek një prift,
E donte prifti Ciceronë,
E pinte verën latinisht .
Dhe duke ngrënë e duke pirë
Më tha mos isha katolik ,
Por ndodhi prift vërtet i mirë,
Ndaj s’desha të isha unë i lig.
Ia ktheva butë e qetë-qetë:
“ Kjo vera qënka si balsam,
Këtë e duan gjithë fetë,
E do dhe ndonjë mysliman .
I kam të parët katolikë,
I kam të dytët bektashinj,
Dhe unë i treti asnjë çikë ,
S’besoj në shpirtra dhe qirinj,
Se m’u mërzitën gjyshrit shumë,
Që fetë i kthenin mot për mot ,
Ndaj hoqa dorë i shkreti unë,
Nga çdo besim e nga çdo zot…”
Po prifti foli tepër vonë
Dhe ndofta tepër rastësisht,
Si recitoi pak Ciceronë,
Si mërmëriti latinisht .
Në sytë i feksi një shkëndijë,
Iu drodh dhe gjer në fund iu fik
Dhe qeshi çiltër si fëmijë :
“ Gjynah që s’qenke katolik”!
Me sy kërkova tinëz derën ,
Kur prifti thirri:”Mos, or mik!..
Megjithatë ta pijmë verën,
Në verë qenke katolik!”
Harroi një çast për Ciceronë,
Harroi të tjerat, sigurisht…
I madhi prift me Dritëronë
E pinin verën latinisht …
1993

