A e di çfarë kam mësuar, më pyeti me atë zërin e ngadalshëm dhe duke më parë në sy.
Bëri një pauzë për t’i dhënë më shumë efekt fjalëve të tij dhe shtoi: “S’ka gjë më të keqe se sa të jesh i pakënaqur me fatin tënd.
Për 28 vjet në burg mendoja shpesh se sa i pafat isha. Sot mendoj se jam njeriu më me fat në botë ”. Pjeter Arbnori ishte 57 vjeç atë ditë të qershorit 1992, kur kisha shkuar për ta takuar në zyrën e tij. Nga këto, 28 vite, 2 muaj e 9 ditë i kishte kaluar në burgjet komuniste. Kur ishte liruar nuk besonte kurrë se fati do t’i rezervonte jashtë një jetë më të mirë.
Siç shprehej vetë, pas 28 vitesh izolim e vetmja gjë qe i ra në sy ishte se njerëzit nëpër oborre kishin shkulur lulet dhe kishin mbjellë hardhia. Por gabonte. Fati kishte bërë një kthesë të fortë 180 gradë dhe i burgosuri për thuajse 3 dekada qe zgjedhur tashmë Kryetar i Parlamentit pluralist të Shqipërisë.
Për ironi të fatit, zyra e tij ishte ajo që kishte pasur për 40 vjet Enver Hoxha.
I burgosuri për 28 vjet qe ulur në tavolinën e punës së diktatorit. “Nuk e ndërrova më tha, sepse ky është dënimi më i mirë për të ”.
Fati kishte qenë vërtet i çuditshëm me Pjetër Arbnorin. Ai ndërroi jetë në vitin 2006, 71 vjeçar.
Blendi Fevziu



