…Ishte pika e verës…15 korrik ma…i gjetëm në Prekal këtë çiftin në foto, që ishin gjermanë dhe kishin ardhë me pushime në Shqipni…
– “Bashkëjetojme prej vitesh” – thanë të dy njizani kur i dveta (pyeta) nëse ishin të martuem…bisedën e bamë në anglisht sepse të dy gjermanët flisnin anglishten rrjedhshëm, gja që nuk më habit aspak sepse me çdo gjerman që më ka çu rasti me folë rezultonte se e dinte anglishten…këtu mund të përmend edhe gjermanë të çdo shtrese të jetës si më pati qëllue nji rast kur isha në Mynih dhe kur doja me u orientue i dvetsha në anglisht njerëzit që hasja… e flisnin të tanë anglishten, shitësi i kioskut në periferi, udhëtari i rastësishëm në platformën e stacionit Besucherpark të metrosë afër hotelit ku ndejtëm, kontrollori i biletave në metro e kudo…kështu rezultoi edhe me çiftin gjerman në Prekal, flisnin anglisht dhe shumë miqesorë të dy, prandaj fola lirshëm me ta…
– “Asht oazi ynë i preferuem ky vend” – thanë kur i dveta pse bash këtu, – “e kemi zbulue para nja 6 vjetësh dhe prej asaj kohe vijmë çdo verë këtu …”asht gjaja jonë ” (“it’s our thing”) – thanë në anglisht dhe mbasandej më thanë se për 6 vite rresht, çdo verë fluturojnë me avion nga Hamburgu në Prishtinë, nga Prishtina në Gjakovë me autobusë e prej Gjakovës shkonin në Valbonë nga ku niste udhëtimi i tyne nëpër Alpe…e përshkojnë udhën Valbonë – Theth – Lepushë ku pushojmë nji ose dy ditë në Vermosh dhe mbasandej bajmë kthimin nëpër Shkrel, Kir e ndalojmë në Prekal, këtu te ky plazhi ku kalojmë disa ditë – “Këtu e gostitim veten për mundimin”, (“Here we treat ourselves for the hardship” – në anglisht), – thanë tue qeshë të dy…
– Po pse bani plazh këtu …a i keni provue plazhet në bregdet?” – nuk i lashë rahat unë…
– “Sepse këtu mundemi me pushue…pashë hatrin e Zotit prandaj quhet “Pushim” për nji arsye”,(“For God’s sake it’s called resting for a reason” – anglisht) – thanë, – “kemi shkue fillimisht në plazhet e bregdetit, por nuk na pëlqyen …shumë zhurmë, tejmbushun,(overcrowded), shtrenjësi qesharake,(ridiculously expensive), mungesë higjene…na vjen keq më thanë, por plazhet në Shqipni janë duke u shndërrue në kopje karrikatureske të plazheve greke, turke dhe spanjolle…e vetmja diferencë janë çmimet tuaja jashtë kontrolli…me qenë puna për plazhe të tejmbushuna ne shkojmë në Spanjë se na bjen edhe ma lirë …derisa sa ta përfshijë makuteria e tregut edhe këtë oaz ne do vijmë këtu çdo vit dhe urojmë që babëzia e komercializimit mos të ketë apetit deri në Prekal.”…
…të dy kishin nga nji libër ngat peshqirëve…sikur ta kishte lexue mendimin tem burri më tha se librin e merrnin me veti kudo ku shkonin…”Ka gja ma shplodhëse se me lexue në hije të çadrës mbasi je flladitë në këto ujna kristal?” – qeshi ai krejt natyrshëm …
…Duke u nda me ta i urova :
– “Paçi pushime sa ma të kandshme!”
– “I kemi…po i shijojmë nësa flasim.”
Nga Ilir Seci/ Çifti gjerman që pushonte në Prekal të Shkodrës dhe biseda me ta…
Leave a comment Leave a comment