Zyrtarët e qeverisë britanike kanë njoftuar sot deportimin e 42 emigrantëve shqiptarë drejt vendlindjes.
Sipas mediave britanike, 42 emigrantë të paligjshëm që kishin hyrë përmes Kanalit në Britani si dhe disa kriminelë u dërguan me avion drejt Aeroportit Nënë Tereza në Tiranë.
Një burim nga departamenti tha për faqen e lajmeve “Daily Mail”: “Këta kriminelë shqiptarë janë kthyer aty ku e kanë vendin – në vendin e tyre. Ata kryen krime të rënda në Mbretërinë e Bashkuar dhe për këtë arsye nuk kanë të drejtë të qëndrojnë këtu. Qeveria nuk kërkon falje për largimin e tyre”.
Mbi 10,000 shqiptarë kanë mbërritur me varka të vogla përmes kanalit anglez për të kërkuar azil këtë vit, duke përbërë gati një të katërtën e 44,000 emigrantëve të paligjshëm, raporton Guardian.
42 shqiptarët janë të parët që kthehen në vendlindje pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy vendeve për t’i dhënë fund emigrimit ilegal.