Me rastin e ditës ndërkombëtare të mërgimtarëve, nëpërmjet rrjeteve sociale ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka.
Nuk ka popull të dytë në Europë që të mërgojë në vitin 2022 kaq masivisht sa ne. Shqiptarët kërkojnë azil politik, shkruan ai.
Prandaj populli opozitar të shtojë radhët dhe të rreshtohet kundër së keqes! Largojmë Ramën që të qëndrojnë shqiptarët!
O me Ramën o me shqiptarët!- bën thirrje Noka.
Ja postimi i tij:
Sot Dita Botërore e Mërgimtarëve. Shqiptarët i kanë njohur rrugët e kurbetit që fëmijë. Janë shpërndarë në të katër anët e botës. Kanë kapërcyer male e dete për të ndihmuar familjet dhe vendin e tyre.
Në kohë të ndryshme, arsyet e largimit janë të ndryshme.
Pushtimet, luftërat, diktatura, të gjitha e rrënuan ekonomikisht shqiptarin.
Sakrificat e shqiptarëve nuk kanë të krahasur. Nuk ka popull të dytë në Europë që të mërgojë në vitin 2022 kaq masivisht sa ne. Shqiptarët kërkojnë azil politik. Prindërit kërkojnë të shpëtojnë fëmijët nga poshtërimi që iu bën qeveria e tyre me rrogat dhe pensionet që nuk bëjnë lart, me shëndetësinë falas që iu kushtoi shtrenjtë, me drejtësinë dhe policinë e kapur.
Ne kishim një ministri për diasporën që nuk pati kurrë një bilanc. Në krye qëndronte një ministër gojëmbyllur.
Sot jemi në prag të boshatisjes etnike të Shqipërisë. Popullsia zvogëlohet çdo ditë, plaket, keqtrajtohet, stërmundohet për të mbijetuar. Ëndrra e shqiptarëve është të largohen një orë e më parë.
Dikur mërgata jonë ishte krenare që përfaqësonte Shqipërinë në botë. Sot ndjehen të turpëruar që vendi i tyre i ka ulur kryet Serbisë, që është katandisur në një narkoshtet ku ligjet i bëjnë trafikantët dhe të fortët e krimit. Shqipëria po shpopullohet nga vlerat dhe rinia. Nuk ka gjallëri, nuk ka rend dhe siguri. Synimi i qeverisë është të zëvendësojë shqiptarët me nevojtarë të huaj,
e të mbajë këtu vetëm besnikët e saj, rrogëtarët dhe patronazhistët.
Koha nuk premton.
Nesër mund të mos e kemi Shqipërinë me shqiptarë!
Prandaj populli opozitar të shtojë radhët dhe të rreshtohet kundër së keqes! Largojmë Ramën që të qëndrojnë shqiptarët!
O me Ramën o me shqiptarët!



