Nxënësi i shkëlqyer, që dje i jepte të kopjonte detyrat shokut të tij më të dobët, punon sot si inxhinier në kompaninë e këtij të fundit.
Kompania e ish shokut më të dobët, është sot nënkontraktore e një kompanie të madhe, fituese e tenderit, që drejtohet nga një ish shok tjetër klase, i cili edhe pse nuk shkonte në shkollë, mësuesit ja hidhnin një pesë për gjynah.
Kompanisë së madhe të këtij të fundit, tenderin ja ka akorduar një ish shok tjetër klase, sot pushtetar, që aso kohe mësuesit ja hidhnin dhjetat nga frika e vendit të punës, pasi i ati i tij ishte zyrtar i lartë shteti.
Fëmijët e inxhinierit shkojnë në një shkollë publike afër shtëpisë; fëmijët e ish shokëve të klasës, sot pronarë, shkojnë në shkolla të shtrenjta private; fëmijët e pushtetarit studiojnë jashtë vendit në shkollat më të mira; ndërsa mësuesja, tashmë në pension me 180 mijë lekë të vjetra në muaj, jeton vetëm pasi fëmijët i kanë ikur në emigrim.
Ky është zinxhiri i funksionimit të shkollës, jetës dhe shoqërisë sonë, që me vlerësimet herë për shoqëri, herë për gjynah e herë për frikë, na ka sjellë deri këtu!

