QIELL DHE PUTHJE
Në galeri buratinësh
orbitën e hënës ula
dhe rrezet e diellit ngriva
përtej shikimit tënd xixëllonjës.
Në natë fishekzjarresh të ktheva
dhe me blunë e fijeve të vetëtimta,
të vizatova rrathët e syve,
në telajon e krisur të Krishtlindjes.
Orët e mbrëmjes ndalen
të parakaluara nga ti
që më pret në tavolinën shpirtzbrazët,
brenda vinotekës së vreshtit gri.
Mbërrij me kasën bosh
të një violine,
harruar në grindjen e ditës së kaluar dhe me dhuratë,
zemrën time të plagosur
në një kuti argjendi,
kyçur me çelësin “Të dua!”.
Qirinjtë shkrijnë nga fjalët
që heshtja shkruan,
një puthje endet në ajër
si një avion i vogël pa krahë.
Në cep të dhomës,
një lot i qeshur
derdhet në grykën e një shisheje vere…
K.F.
Chicago 10/20/2022

