Paskam filluar të vdes
për vete
e të gjallëroj
për të tjerët…..
“Elipsi i Humbjes” Myftar GJANA!
NA DUHET PAK KOHË
Vetëm pak kohë na duhet, aq pak…
Larg zhurmave dhe pluhurit, larg
Shikimeve të lerosura, larg
Gojëve çapëlyese, larg ajrit të ndotur
Nga djersa e epshit të kauçuktë,
Aq pak sa të hapim sytë pa neveri,
Për të parë pemët dhe barin, ujërat dhe zogjtë,
Aq pak sa të heqim dyllin e Odiseut
Nga veshët e lodhur së dëgjuari këngë arkaike.
Sa për të ndjerë një cicërimë zogu në degë,
Frymëmarrjen e bimëve dhe të agimit,
Për të nuhatur erën e myshkut dhe të tokës,
Për të prekur sakaq ajrin e ndrojtur
Nga dyndja e njerëzve.
Vetëm pak kohë na duhet, e mira ime
Diku atje, ku s’ndihet
Kutërbimi i mushkërive të sëmura,
Të përziera me kundërmime epshi,
Të rrimë larg dykëmbëshve veshëmëdhenj
Me gojëshpella të hapura prej mishi.
Aq pak kohë na duhet sa vetmia
Të na vizitojë pa frikë,
Të na përkëdhelë qetësisht
Me duart e saj të padukshme
Në lëkurë, në flokë e në eshtra,
Aq sa të ndjejmë orën e gjakut tonë
Të rrahë me të njëjtin ritëm
Dhe të harrojmë se jemi dy vetë.
****
STATUJA..
Një statujë e desha njëmend,
gjinjtë e bardhë ja kam shtrydhur
në shtratin tim e kam shtrirë pa mend,
qumështin e zi duke i thithur.
E kam zgjuar me puthje jo kafshime
nga gjumi mijëvjeçar i heshtjes,
lotëni ridhnin, e nga goja ankime
për virgjërinë e saj të hershme.
(Myftar Gjana, Elipsi i Humbjes)
***
Para ndarjes.
Pikëllim i bardhë.
Trëndafil i zi
Mbi supe të rri.
Ç’të të bëj unë ty?
Ngazëllim takimi
ulërimë dëshpërimi
rruga ty të sjell.
Ku po më përcjell?
Jam si i përhimë
në allçi të shtangies.
Statujë që lëviz
e tretem diku
nëpër qiell të ndarjes
Pritmë, përsëri…
Poezi nga: Myftar Gjana, marrë në librin e tij të parë “Elipsi i Humbjes”.
****
MYFTARIT. (Nga Alban Bala)
Syzet e tua te thyera mbetur shtrember
ne xhep
telefoni i vjeter, i vogel, i nje epoke tjeter,
rrobat e lira te dikujt qe nuk do t’ja dije
se si duket, se ndoshta dhemb
ta shohesh njeriun ne ate vuajtje
ate burrin qe e ka gjoksin nje miniere
floriri
qe mundet vec me mend ta thyeje dysh nje lis,
ate kengen e pafryme te guximit qe flet per endrra
edhe kur e di fundin
ku ta coj tani kujtimin tend qe vjen ere njeriu
ne kete bote ku frymojne sendet dhe heshtjet
blihen shtrenjte? ku ta coj kujtimin
e zerit tend qe e kish marre malli
qe lypte per miq per te njehur stinet
dhe fliste me drite; ku ta coj kujtimin
e nje bote qe ti e ngrite pa e besuar asnje dite
miqte nuk ikin, vec treten ne limfe
dhe rrjedhin neper trup si dridhje…
miqte nuk ikin kurre Myftar, vec prijne
atje ku Zoti ben drite..

