“Juria që i vë një kryq veprës na mohon, pra na vë një kryq varri edhe ne”
Këta janë dy libra të mi (njeri përkthim, tjetri i shkruar prej meje), botuar gjatë vitit të kaluar. Asnjë prej tyre nuk është përfshirë në pesë librat që juria e ministrisë së kulturës zgjedh për të dhënë çmimin. Unë s’mund të bëj njeriun modest (domethënë të përulurin dhe të poshtëruarin e përjetshëm) dhe të them se mund ta meritojnë të tjerët. Jo. Unë (por besoj edhe të tjerët) shkruajmë për të qenë të parët. Juria që i vë një kryq veprës na mohon, pra na vë një kryq varri edhe ne.
Këtu ka disa problema. Çmimin, në fakt, e merr juria, e cila, përmes çmimit tregon shijet e saj. Një juri mediokre, e përbërë prej Floresha Dadove, Virion Graçëve dhe ca të tjerëve që ende s’janë pagëzuar në ujrat e rjedhave të letërsisë, s’ka se si të tregojë cilësi dhe kualitet. Megjithatë, një juri e tillë do të ishte e falur, nëse vepronte sipas shijeve të saj. Çështja është se juri të tilla nuk e bëjnë punën si të tilla: domethënë nuk i lexojnë veprat fare, i kanë paravendosur çmimet, anëtarët e tyre i shkelin syrin autorëve: këtë vit ta hap unë ty, vitin tjetër ma jep ti mua, e kështu me rradhë. Janë marrëveshje që kryhen në heshtje, brenda një qerthulli të mbyllur, vicioz, duke krijuar një atmosferë mbytëse. Kemi parë se si ashikë pleq ua japin çmimet të dashurave të tyre nazike.
Nuk dua të keqkuptohem. Unë as jam i zhgënjyer dhe, mbi të gjitha, as jam i zemëruar. E di dhe i njoh prej vitesh hierarkitë e rreme letrare. Thjesht i shkrova këto rreshta si një dëshmi, siç kam bërë dhe herë të tjera, kur s’kam pasur vepër për të konkuruar. Në fund të fundit këto çmime janë gallavitur aq shumë, janë bërë aq mosbesuese, sa, prej kohës, kam pritur dikënd t’i refuzonte ato.


