Deputeti dhe tashmë
kandidat i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ftoi të gjithë qytetarët e pakënaqur që të votojnë PD-në në zgjedhjet lokale për të sjellë në këtë mënyrë ndryshimin e shumëpritur.
Gjatë një takimi në selinë blu me të gjithë fituesit e Primareve brenda PD-së, të cilët do të jenë kandidatë në zgjedhjet lokale, Këlliçi u shpreh se beteja për Tiranën do të jetë epike, por në fund do të fitojë PD, duke i hapur në këtë mënyrë rrugën e largimit të qeverisë Rama.
“Vij sot përpara jush me një përgjegjësi të madhe. Dua ta nis me një falënderim për ata demokratë të gjithë ata demokratë që na kanë ndjekur në çdo zgjedhje të brendshme të zhvilluar gjatë këtij viti.
Por nga sot kërkohet një angazhim më i madh i demokratëve dhe qytetarëve që besojnë e opozita që ne të jemi fitimtar në 14 maj, jo për PD-në por për të shpëtuar Shqipërinë. Situata është kritike. Në Tiranë jam i bindur që ne do të bëjmë një betë epike dhe do t’ia dalim të rrëzojmë kullën më të lartë të qeverisjes së keq, Erion Veliajn.
Për t’i hapur rrugën më pas rrëzimit të qeverisë dhe largimit të Edi Ramës. Nuk ka pse ky vend që i ka falur zoti të gjitha të braktiset nga rinia.
Ndryshimi që ne presim nuk do të vijë nga qielli, nëse jemi të pakënaqur duhet të reagojmë ne. Ndryshimin nuk do na e falin. Vështirësitë e bëjnë më të bukur rrugëtimin dhe shijen e fitores në fund. Nëse nuk do të kishte vështirësi kjo forcë politike nuk do të krijonte politikanë të suksesshëm që do të ndërmerrnin reforma të rëndësishme në vend”, tha Këlliçi.