Ai kishte lindur debil.
Ngjasonte me gjithë foshnjat e tjera dhe emrin ja vunë Bilbil.
Duke u rritur e duke u shfaqur, ashtu, siç Zoti e kish krijuar,
debilit ju harrua emri.
Debili i Larushit e quanin të gjithë, simbas emrit të lagjes.
Veç nëna e tij e quante Bilbili im.
Të tjerët, kur e dëgjonin, nënqeshnin dhe sa kthenin krahët ja plasnin gazit me të madhe.
Debil Bilbili u bë 25 vjeç dhe atë vjeshtë rastisi të bëheshin zgjedhjet e parisë së fshatit.
Çdo lagje zgjodhi burrin më të zot për në pleqësi.
Lagja Larushë përfaqësohej nga xhaxhai i debilit.
Burrë i mençëm ishte dhe e meritonte nofkën “finoku”.
Mesditën e të shtunës së fundit të shtatorit, tek lisi në qendër të fshatit, u mblodhën burrat në kuvend.
Dihej për çfarë bëhej takimi. Do pleqëronin e vendosnin të parin e fshatit.
Ata ishin njerëzit më me zë dhe secili e shihte veten si të Parë pa kushte.
Zgjedhjet bëheshin në çdo 7 vite. Askush nuk dinte pse 7-të e jo 8-të, fjala vjen. Mandati nuk përsëritej. I pa sqaruar edhe ky vendim.
Rrapi, kryetari në detyrë, hapi takimin me fjali të shkurtra, por të qarta. Në natyrën e tij kjo mënyrë të foluri, ashtu i merte dhe vendimet, kur kishte keqkuptime për kullotat, shtigjet, ujrat, grindjet në vllazëri.
Ju e keni fjalën -tha- dhe u ul këmbëkryq, si të tjerët.
Më takon të jem unë, foli mustaqerëndi i lagjes Gur.
Një burrë zeshkan nga lagja Shkrep, brofi sikur ta kishte pickuar gjarpëri.
Lagja ime ka radhën të kryesoj fshatin.
Ndër 15-të vetë, vetëm i lagjes Larushë ( xhaxhai i Debilit), as po fliste, as po pretendonte.
Kishte ulur kokën, dridhte duhan dhe secilit i hidhte në prehër nga një cigare të fortë.
Mbas grindjeve me fjalë e debateve, dikur ranë dakord që mustaqerëndi të ishte i pari i tyre.
Një pjesë edhe pse u shprehën pro, vlonin inat përbrenda.
Atëhere e mer fjalën plaku i Larushës (Finoku):
Mustaqerëndi është burrë me emër, i zoti, trim, i mençëm fort, por s’do garoj vetëm.
Duhet të ketë dhe një emër tjetër.
Që mos të kthehet kuvendi tek e nisëm, mendoj që emri tjetër le të jetë Debil Bilbili i Larushës.
Burrat u lehtësuan, debili debil është, asnjë votë nuk merr, mendoi secili në kryet e vet.
Vetë mustaqelliu shkruajti 15-të letra me dy emra dhe i shpërndau ndër pari.
I vetmi laps kaloi sa te njëri te tjetri.
U palosën letrat e u bënë sa një kokë çibuku.
U hodhën si zare në midis vendi e u përzjen nga gjithë duart.
Hapja e tyre dhe leximi u bë faqe të gjithëve.
Zotnia i mustaqeve kishte marr tre vota.
Letrat e tjera, plot 12-të, shënonin emrin e Debilit.
Njëri nga burrat, duket se ishte vota e tretë, sepse mendohej se edhe Rrapi-ish kryeplaku, me maturinë e tij, kishte votuar për mustaqerëndin, u çua gjithë mllef e deklaroi se votimi nuk kishte vlerë.
Debili nuk ishte përfaqësues dhe ndaj s’mund të ishte kandidat.
Mustaqa i famshëm ( kandidati) i lagjes Gur, ashtu si ishte këmbëkryq, bëri një shenjë me dorë dhe qetësisht foli: Jo vëllezër !
Jemi vonë për të filluar nga e para. Erdhëm në këtë kuvend vetëm me inatin duke e harruar mendjen në shtëpi.
Ky fshat, Debilin deshi, atë do kemi të parë.
Në mbrëmje vetëm në Larushë kishte festë, në lagjet e tjera s’u panë drita ndezur, as zëra nuk u dëgjuan.
Nuk di më tej sesi udhëhoqi Debili, por dikush më ka treguar se fshati u boshatis brenda pak muajsh.
I pari që iku pa adresë ishte xhaxhai i kryeplakut (i Debilit) me familjen e ngushtë të tij. A. Kola

