Destabilizimi i Ballkanit, me anë të mekanizmit kamikaz të minoritetit serb në Kosovë, mbetet objektivi themelor i Vuçiç, bazuar në direktivat e politikat e Kremlinit mbi rajonin e Europës jug-lindore. Vuçiç sigurisht që është i bindur plotësisht se ndërhyrja ushtarake serbe në Kosovë është një vetëvrasje ushtarako-politiko-ekonomike për Serbinë dhe nuk do të guxonte të kalonte vijën e kuqe të përcaktuar nga BE e SHBA.
Gjithësesi, destabilizimi rajonal duke përdorur elementët kriminal serb në veriun e Kosovës, do t’i krijonte mundësinë për të provokuar vendosmërinë e faktorit ndërkombëtar, për të rritur “pazarin” me BE dhe SHBA-të, për të konsoliduar mbështetjen e elektoratit serb, si dhe për t’i kaluar një sinjal pozitiv Moskës nga vëllezërit tradicional sllavë të Ballkanit.
Reagimi ndërkombëtar dhe i shtetit shqiptar duhet të jetë i vendosur, i fortë dhe pa-kompromise, jo vetëm sepse destabilizimi rajonal është tepër i rrezkshëm dhe me kosto të lartë njerëzore-ekonomike-sociale, por edhe për faktin se historiku i marrëdhënieve ndërshtetërore në Ballkan ka treguar që “përkëdheljet” që BE i ka ofruar Serbisë kanë çuar në përkeqësimin e mëtejshëm të situatës si dhe mbajtjen e një status quo të rrezikshme për rajonin dhe Europën.

