Mbasi kryesia e PD-së mori vendimin zyrtar për aplikimin e primareve për zgjedhjen e kandidatëve të zgjedhjeve vendore, me një status në rrjetet sociale ka reaguar sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike Flamur Noka.
Ai shkruan se “Ndryshimi nis nga vetja” dhe më tej sqaron vendimmarrjen e forumit të lartë të partisë.
Postimi i tij:
Ndryshimi nis nga vetja
PD ia beson vendimmarrjen kryesore anëtarësisë dhe simpatizantëve të saj, të cilët me votën e tyre do të përcaktojnë kandidatët zyrtarë të PD për kryebashkiakë.
Në mbledhjen e sotme të kryesisë së PD vendosëm:
1. Miratimin e udhëzuesit që ka të bëjë me modalitetet e pjesëmarrjes së simpatizantëve në primaret për zgjedhjet e pushtetit vendor 2023.
2. Zgjedhjen e komisionit të organizmit dhe kontrollit të operacioneve elektorale.
3. Hapjen e garës së primareve për pushtetin vendor në të gjitha degët e PD.
Këto janë hapa përpara për PD, për konkurrencën e brendshme dhe standardin e garës.
PD është e para parti politike që ofron modelin e demokratizimit të brendshëm, për të cilin ka nevojë politika shqiptare dhe qeverisja e vendit.
Shqiptarët duan ndryshim dhe PD po e nis ndryshimin nga vetja. Primare më 4 dhjetor.


