Ditën e parë të nisjes së vitit mësimor universitar, pedagogët e universiteteve publike i kanë bojkotuar auditoret dhe duke vazhduar grevën e nisur që prej një muaj.
Thirrjes së sindikatave i janë përgjigjur edhe pedagogët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës dhe duke marrë shkas nga kjo gjendje ka reaguar kryetari i bashkisë së metropolit të Veriut, Bardh Spahia.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruan: “Protesta e pedagogëve të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, është sinjal i qartë se kriza ekonomike që ka prekur vendin tonë, po bëhet çdo ditë e më alarmante”
Postimi i plotë:
Protesta e pedagogëve të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, është sinjal i qartë se kriza ekonomike që ka prekur vendin tonë, po bëhet çdo ditë e më alarmante.
Askush nuk duhet të heshtë sot, as të qëndrojë indiferent përballë kësaj situate të rëndë që po kalon Shqipëria, ndërsa përgjigjia qeveritare mungon.
Jam në mbështetje të plotë të çdo pedagogu, me shpresën që kjo situatë të marrë sa më parë zgjidhje dhe studentët të rikthehen në auditore. Çdo vonesë në zgjidhjen e këtyre kërkesave është një kosto më shumë për familjet e studentëve, që me sakrifica sigurojnë edukimin e fëmijëve të tyre.
E sotmja do të duhej të ishte një ditë e gëzuar, sepse nisja e vitit akademik është lajm i bukur për çdo qytet që bëhet mikpritës i të rinjve dhe të rejave nga trojet shqipfolëse. Por fatkeqësisht po presim çdo vit e më pak student, sepse shumica prej të rinjve po zgjedhin rrugën e ikjes, duke e parë të ardhmen larg vendlindjes.
Sot më shumë se kurrë vendi ka nevojë për ju, prandaj kontribuoni në Shqipëri që së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë.



