Mesditën e sotme është zhvilluar mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, ku po diskutohet në lidhje me prezantimin e raportit vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Në mbledhje e mori bashkëkryetarja e Këshillit nga radhët e opozitës, Jorida Tabaku, sipas të cilës , qeveria nuk ka vullnet për reforma dhe detyra e klasës politike shqiptare është që ta ndërtojë Europën këtu në vendin tonë.
Shqetësim kryesor, tha ajo, mbetet korrupsioni dhe ndali te rasti i inceneratorëve.
Jam shumë e bindur që procesi i integrimit është një shans që nuk duhet humbur për “brain gain”. Një mundësi e jashtëzakonshme që pasurinë e madhe që e kemi humbur gjithë këto vite, ta rikthejmë këtu sërish.
“Për mua është shqetësues fakti se qeveria shqiptare nuk e ka treguar ende vullnetin politik të nevojshëm për reforma.
Korrupsioni mbetet një fushë me shqetësim serioz. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit. Natyrisht raporti përmend arrestimin e ish Ministrit të Brendshëm, por për vendin më të korruptuar në Europë, një çështje si e inceneratorëve dëshmuar dhe faktuar nga Komisioni Hetimor për Inceneratorët për 430 mln euro nga buxheti i shtetit, për koncesionet dhe PPP, SPAK ka një rrugë të gjatë për të bërë për të krijuar besueshmëri”, tha midis të tjerash Tabaku.

