Nevojiten miliarda dollarë për mbrojtjen e ujit dhe të tokës, në mënyrë që të rritet qëndrueshmëria e fermave të vogla, thotë kreu i ri i agjencisë së financimit për bujqësinë në OKB.
Alvaro Lario ka marrë rolin e kreut të Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë në mes të një krize globale të ushqimeve, e cila, sipas tij, mund të fillojë të ndodhë rregullisht.
Lario dëshiron që Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë të fokusohet në investime për qëndrueshmërinë e fermerëve të vegjël, në mënyrë që ata të mund të prodhojnë ushqime për veten e tyre dhe të mos mbeten në mëshirën e goditjeve të jashtme.
“Qëndrueshmëri do të thotë që, kur keni një goditje te të ardhurat tuaja – si aktualisht, me inflacionin – ose kur keni një goditje që vjen nga kushtet ekstreme të klimës, nuk do të bini nga pragu i varfërisë te varfëria ose pasiguria ushqimore,” tha Lario.
Kriza aktuale e ushqimeve, e cila është përkeqësuar nga lufta në Ukrainë, do të ndodhë përsëri – dhe shumë shpejt – nëse liderët botërorë nuk adresojnë problemin e investimeve të ulëta për dekada me radhë në mënyrën se si kultivohen dhe shpërndahen ushqimet, paralajmëroi ai.
Ai tha se qindra miliarda dollarë duhen orientuar drejt fermave të vogla, duke investuar në mbrojtjen e ujit dhe të tokës, duke ofruar kredi me interes të ulët, akses në tregje, si dhe duke shtuar produktivitetin.
“Ajo që po shohim është se ata aktualisht nuk janë në gjendje as që të prodhojnë ushqim për veten, madje shumë prej tyre duhet të shesin asetet… sepse nuk kanë mundësi të mjaftueshme për të ushqyer veten.”
Lario tha se ndikimi i luftës në Ukrainë ka sjellë ndërprerjen e transportit të kulturave kryesore bujqësore për muaj me radhë dhe ka shkaktuar rritjen e çmimeve të plehrave kimike, duke përkeqësuar problemet ekzistuese pasi 150 milionë njerëz ishin në vështirësi për të siguruar ushqime përpara luftës.
“Nëse nuk investojmë tani, në shuma prej dhjetëra apo qindra miliarda dollarësh, edhe nëse arrijmë ta zgjidhim shpejt luftën në Ukrainë, brenda dy deri në pesë viteve do të jemi përsëri në të njëjtën situatë”, tha ai.
“Kohët e fundit, kemi pasur shumë goditje klimatike, thatësira dhe përmbytje që e kanë bërë situatën akoma më të vështirë, por, në përgjithësi, fakti që ne nuk i kemi kushtuar vëmendje reale dhe të mjaftueshme mënyrës se si prodhohet ushqimi, se si shpërndahet ai, si ruhet, dhe krijimit të vendeve të punës në shumë prej këtyre zonave rurale, është shkaku kryesor i kësaj krize.”
Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë është një agjenci financiare e OKB-së me qendër në Romë, e cila punon me Organizatën e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë dhe me Programin Botëror të Ushqimit, si dhe me sektorin privat, për të promovuar sigurinë ushqimore përmes bujqësisë së qëndrueshme, duke ofruar grante dhe kredi të lira për fermerët në vendet në zhvillim.
Çmimet globale të ushqimeve arritën nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë në muajin mars, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe, megjithëse ato kanë rënë që nga ajo periudhë, mbeten 8% më të larta se një vit më parë.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime lidhur me çmimin e lartë të plehrave kimike, i cili ndikon në produktivitetin e bujqësisë, për shkak të sanksioneve që kufizojnë dërgesat nga Rusia, vendi më i madh eksportues në botë i plehrave kimike, si dhe për shkak të reduktimit të sasisë që vjen nga Kina dhe reduktimit të përgjithshëm të prodhimit të plehrave kimike në Europë.
Lario tha se fermerët e kanë të vështirë që t’ia kalojnë barrën konsumatorëve për këto çmime të rritura dhe kjo është arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar duhet të financojë fermerët që nuk marrin ndihmë nga qeveritë e tyre, ndryshe nga fermerët në vendet më të pasura.
“Rruga për të trajtuar problemet e varfërisë, të pasigurisë ushqimore, të financimit të sistemeve ushqimore, duhet të fillojë gjithmonë me transformimin afatgjatë të zonave rurale dhe bashkimin e prodhuesve të vegjël në një tryezë diskutimi,” tha ai./ The Guardian

