Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e ka shprehur publikisht skepticizmin e tij në lidhje me mirëkuptimin për çështjen e targave, midis dy vendeve.
“Jam skeptik dhe thjesht nuk shoh hapësirë për përparim, por na takon neve të bëjmë më të mirën”, tha Vuçiç sot në Oseçinë, teksa mori pjesë në Panairin e Kumbullës.
I pyetur nga një gazetar nëse pret tensione më 1 shtator, data për të cilën autoritetet e Kosovës njoftuan për zbatimin e vendimeve për riregjistrimin e automjeteve dhe për dokumentet personale, Vuçiç u përgjigj:
“Nuk mendoj se mund të ndodhë asgjë më 1 shtator, por kjo është çështje kohe, sepse riregjistrimi që ata synojnë të kryejnë zgjat dy muaj. Ndërkaq, për sa i përket dhënies së dokumenteve, mund të ketë tension edhe më 1 shtator, nëse nuk pranojnë që serbët me dokumente personale serbe të mund të shkojnë në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe nga atje të hyjnë në Serbinë qendrore”, tha Vuçiç.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se më 1 shtator do të zbatojë vendimin për riregjistrimin e automjeteve me targa të Serbisë në RKS.

