Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij, Besmir Hoxha e Dikler Vata, mbetën të vdekur mesditën e të dielës teksa ktheheshin në shtëpinë e tyre në zonën e Fushë Kuqes. Në mbikalimin e Fushë Krujës, ata ranë pre e një atentati dhe të tre mbetën të vdekur nga breshëria e plumbave.
Policia ende nuk ka një emër konkret për ekzekutimin, ndërkohë që sot është mësuar se Prokuroria e Krujës ka kërkuar që të merren në pyetje gjashtë persona, disa prej tyre eksponentë të njohur të botës së krimit.
Brilant Martinaj ishte me i njohur për Policinë mes tre të rinjve që mbetën viktimë. Gjithashtu, ai njihej edhe mes artistëve, pasi shoqërohej me shumë prej tyre për shkak të moshës së re, vetëm 23 vjeç. I riu ishte dhe kushëriri i parë i biznesmenit dhe personit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Ervis Martinaj.
Rrjetet sociale janë mbushur prej të dielës me foto të tij dhe mesazhe ngushëllimi, nga persona që pretendojnë se janë familjarë, miq dhe shokë të tij, por dhe të Besmir Hoxhës e Dikler Vatës. Tre djemtë e Fushë Kuqes ishin njëherësh fqinj dhe shokë të ngushtë.