Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe zv.kryetari, Agron Gjekmarkaj, u pritën në Audiencë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Në takim ishte e pranishme edhe znj. Majlinda Dodaj, Kreu i Misionit të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.
Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, vuri në dukje disa nga vlerat e popullit shqiptar dhe theksoi se ndjek me simpati arritjet dhe përparimin e Shqipërisë dhe popujt që punojnë shumë vlerësohen për përpjekjet e tyre.
Duke vlerësuar përpjekjet për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, Ati i Shenjtë theksoi se gratë janë të vendosura dhe të sakrificës dhe shoqëria duhet të bëjë më shumë për ato.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, pasi e falënderoi Atin e Shenjtë për audiencën, e njohu me situatën në Shqipëri, vlerat dhe aspiratat evropiane të popullin shqiptar dhe shprehu mirënjohjen e thellë të besimtarëve katolikë dhe të gjithë qytetarëve për përkushtimin e Atit të Shenjtë ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Kuvendi.
“Shqipëria është një vend i vëllazërisë fetare. Bashkëjetesa harmonike dhe respekti midis besimeve kanë një trashëgimi historike. Ne, shqiptarët, nuk kemi njohur asnjëherë konflikte fetare dhe ky tipar universal është një krenari kombëtare e jona.
Marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë shkojnë përtej diplomacisë dhe bashkëpunimit fetar.
Ato janë marrëdhënie të fuqishme shpirtërore dhe një frymëzim i madh për besimtarët e qytetarët. Pritja nga Ati i Shenjtë para pak kohësh e drejtuesve të komunitetit mysliman është një vlerësim dhe inkurajim për tolerancën dhe respektin fetar në Shqipëri”, u shpreh Nikolla.
Kryetarja Nikolla vlerësoi gjithashtu kontributin e Selisë së Shenjtë nëpërmjet nismave e projekteve kulturore, arsimore, shëndetësore, sociale e humane si edhe për restaurimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare në Shqipëri.
Njëkohësisht ajo shprehu vlerësimin e mirënjohjen për kontributin e madh të besimtarëve dhe Kishës Katolike për ndihmën ndaj qytetarëve për përballimin e pasojave të tërmetit e pandemisë si edhe për kultivimin dhe mbrojtjen e vlerave të dashurisë, solidaritetit e humanizmit.
Besmitarët katolikë dhe institucionet e Shqipërisë mirëpritën emërimin e Monsignor Arjan Dodaj si Kryeipeshkëv i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit.
Në përfundim të takimit, Papa Françesku “i përcolli Kryetares së Kuvendit urimet më të mira për popullin shqiptar, shoqëruar me bekimin tij apostolik”.
Pas audiencës me Papën, Kryetarja e Kuvendit, Nikolla dhe zv.kryetari, Agron Gjekmarkaj, u takuan me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.
Gjatë takimit u vunë në dukje marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, dhe u shpreh dëshira për forcimin e bashkëpunimit.
Kryetarja Nikolla e falenderoi Sekretarin e Shtetit Parolin për kontributin që jep Kisha Katolike, përmes institucioneve të saj kishtare, arsimore e shëndetësore në Shqipëri.
Sekretari i Shtetit Parolin vlerësoi bashkëpunimin e Znj. Nikolla dhe z. Gjekmarkaj dhe vuri në dukje se, pavarësisht bindjeve e qëndrimeve politike, bashkëpunimi parlamentar e politik duhet të mbështetet në vlerat e përbashkëta të humanizmit e solidaritetit.
Kryetarja Nikolla dhe Sekretari i Shtetit Parolin diskutuan edhe për zhvillimet në Shqipëri, situatën pas pandemisë, avancimin e procesit të integrimit evropian, zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ndikimin në Shqipëri e rajon të luftës në Ukrainë.
Nga ana e tij, zv.kryetari, Agron Gjekmarkaj thotë se “patëm nderin e madh të priteshim nga Shënjteria e Tij Papa Françesku dhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit Eminenca e tij Pietro Parolin. Aty gjetem dashuri e vemendje të madhe per Shqiperinë si askund tjeter”.
“Ndër shekuj edhe kur reja e zezë mbulonte vendin tonë, brenda atyre mureve u konservua një pjesë themelore
identitetit tonë kombetar! Gjergj Kastriot-Skenderbeu pas udhëtimeve të gjata përzhitur me pluhur betejash mbërrinte aty në ato 25-vite lavdie dhe aleancat e mëdha me Papët i bënte , e bashkë me bekimet e tyre apostolike merrte mbështetje për arbërore që luftonin për vete dhe Europen!
Në ato ujdhesa e imagjinoj me kalorsit e tij besnik tek kumte të rënda shpie. Aty në Biblioteken apostolike u ruajt amza jonë kombetare, “Meshari” i Gjon Buzukut kjo spirancë në Identitetin europian të Shqiptarve.Në ato kisha të qytetit etern, mësohej gjuha shqipe për meshtarët që niseshin për ilirik. Në tipografitë e urdhërave të ndryshëm shtypeshin librat bazik të kombit tonë ato Budit , Bogdanit , Bardhit , Kazazit e të t’jerë.
Në ato shkallare ngjitej Fishta me Pal Dodajn per t’ju lutur Papa Benediktit të XV , që Korça e Gjirokastra ti mbesnin Shqiperisë.
Tek kalon ato portikë mbushur me historinë e qyteterimit perendimor përpiqesh të gjesh copat e tua dhe kur i ndesh emocionohesh e mbushesh me mirnjohje e cila nuk di ku të ndalet më parë, tek Papa Montini, tek Papa Gjon Pali që puthi dheun tonë , apo tek Papa Françesku që i foli gjithë botës për leksionin etik dhe frymëzues të bashkjetesës shqipëtare?!
“E dua Shqiperinë, lutem për të tha Ati i shënjtë! Një politikë per njerëzit,duhet gjithmonë të punoni për ta, një popull që punon fiton! Ati i shenjtë e kujton dhe promovon “vellazerinë mes komuniteteve fetare në Shqiperi”!
Emocionues në gjithçka takimi me Papa Françeskun, per mesazhet që na dha, menyren si na priti dhe kohen që na kushtoi ! Gjithashtu miqesore, e perkushtuar dhe e perzemert biseda me Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Parolin. Mbeshtetje per Shqiperinë, vemendje e interes për të kuptuar të gjitha dinamikat e saj demokratike, shoqerore, integruese, gjeopolitike si dhe raportet me kultet! Sekretari Parolin rikonfirmoi miqësinë dhe
mbeshtetjen e Vatikanit per popullin Shqiptar , si vazhdim i një tradite historike e cila persos vetveten. Takime të paharrueshme në një ditë që të shenjon kujtesen per gjithmonë!”, nenvizon Gjekmarkaj.